Më 14 tetor 2026, në Universitetin Barleti u zhvillua takimi hapës (Kick-off Meeting) i projektit “Zhvillimi i modelit të integruar dhe të qëndrueshëm të destinacionit turistik Via Dinarica Albania”, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në kuadër të Programit të Projekteve të Teknologjisë dhe Informacionit (PTI) 2026–2028.
Projekti zbatohet nga Departamenti i Turizmit, Mikpritjes dhe Rekreacionit në Universitetin Barleti, në bashkëpunim me partnerin nga industria ETNO Tourism sh.p.k., nën drejtimin teknik të Prof. asoc. dr. Florina Pazari.
Kjo nismë synon zhvillimin e një modeli inovativ, të integruar dhe të qëndrueshëm për menaxhimin dhe promovimin e destinacionit turistik Via Dinarica Albania, duke ndërthurur kërkimin shkencor, teknologjinë digjitale dhe bashkëpunimin me aktorët lokalë. Në fokus të projektit janë vlerësimi i potencialit turistik të Alpeve Shqiptare, zhvillimi i produkteve turistike të strukturuara, krijimi i një platforme digjitale dhe forcimi i kapaciteteve të bizneseve lokale.
Gjatë takimit u prezantuan objektivat strategjikë, metodologjia, aktivitetet dhe rezultatet e pritshme të projektit, si dhe fazat e zbatimit për periudhën 2026–2028.
Përmes këtij projekti, Universiteti Barleti synon të forcojë lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor dhe sektorit të biznesit, duke kontribuar në inovacionin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve turistike në Shqipëri.
