Në kuadër të aktiviteteve akademike, Departamenti i Edukimit dhe Trajnimit Profesional zhvilloi me studentët e Masterit Profesional në Arsimin Special dhe në Mësimdhënie dhe të Nxënë një orë të hapur me temë: “Të Nxënët e Personalizuar dhe Gjithëpërfshirja në Arsim”, e mbajtur nga lektore Dr. ADRIANA QAFA
Gjatë këtij leksioni u trajtuan konceptet kryesore të të nxënit të personalizuar, qasjet bashkëkohore, interesat dhe aftësitë individuale të nxënësve, duke vënë theksin te përshtatja e procesit të të mësuarit sipas nevojave, ritmit dhe potencialit të secilit nxënës. U theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi mësimor ku çdo nxënës të ketë mundësi të zhvillohet maksimalisht përmes metodave, materialeve dhe aktiviteteve që i përshtaten stilit të tij të të nxënit.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua përparësive të të nxënit të personalizuar, i cili nxit tolerancën dhe respektin, ul diskriminimin, përmirëson zhvillimin social, krijon mundësi të barabarta dhe ndihmon integrimin e çdo nxënësi në procesin arsimor.
Gjithashtu, gjatë aktivitetit u trajtua edhe koncepti i gjithëpërfshirjes në arsim, karakteristikat dhe sfidat e tij në praktikën pedagogjike bashkëkohore. Në fokus të diskutimit ishte ndërlidhja mes të nxënit të personalizuar dhe gjithëpërfshirjes, ku u evidentua se të dyja kanë në qendër nxënësin dhe synojnë zhvillimin e potencialit individual të secilit, duke respektuar dallimet dhe duke garantuar mundësi të barabarta për sukses.
Nga gërshetimi i këtyre dy qasjeve përfitohet rritja e motivimit, përmirësimi i rezultateve në të nxënë, forcimi i vetëbesimit, ulja e diskriminimit, si dhe nxitja e kulturës së respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në shkollë.
Aktiviteti u mirëprit nga studentët, të cilët u përfshinë aktivisht në diskutime dhe reflektime profesionale mbi rëndësinë e ndërtimit të një arsimi gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt nevojave të çdo nxënësi.
“Kur mësimi përshtatet me çdo nxënës dhe çdo nxënës pranohet ashtu siç është, atëherë shkolla bëhet vendi ku potenciali shndërrohet në sukses.”
