Në datat 9 dhe 10 janar 2017 u realizua në Universitetin Clemson një aktivitet dy ditor me rastin e 10 Vjetorit të programit të doktoraturës “Studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin” Ky program ofrohet që nga viti 2012, për të interesuar nga Shqipëria dhe Ballkani me një kosto më të reduktuar në kuadër të marrveshjes mes Universitetit Clemson dhe Universitetit Barleti. Pjesëmarrës në takim ishin stafi i angazhuar në Universitetin Clemson dhe përfaqësues nga institucionet partnere. Për UB në këtë takim mori pjesë koordinatorja administrative për programin në UB Msc. Migena Kapllanaj.
Qëllim kryesor i këtij aktiviteti ishte përditësimi i programit të doktoraturës dhe diskutimi mbi sfidat dhe të ardhmen tij.
Disa nga çështjet që u diskutuan ditën e parë të takimit ishin rishikimi i përmbajtjes së programit (silabuseve), metodave të mësimdhënies, kritereve të pranimit në program, kërkimit shkencor, marrveshjet ndërkombëtare. Gjatë ditës së parë u diskutua në mënyrë të veçantë rreth programit të studimit të ofruar në Ballkan me mbështetjen e Universitetit Barleti. Deri në këtë moment 20 kandidatë kanë aplikuar për këtë program studimi dhe 17 janë pranuar në program. Dy prej tyre janë diplomuar gjatë muajve shtator-tetor 2016. Dy vitet e fundit ndër kriteret e aplikimit janë shtuar dhe pikët e testit të GRE. Gjatë këtij takimi u diskutuan vështirësitë e marrjes së testit për studentët nga Ballkani dhe u vendos që nuk do të kërkohet GRE. Megjithatë për vitin që vjen do të ketë disa ndryshime të tjera në kriteret e aplikimit për programin e studimit.
Ditën e dytë të takimit u diskutua rreth kërkimit shkencor të secilit profesor që jepte mësim në programin e studimit si dhe për çështje të tjera organizative dhe manaxheriale të departamentit.
Në muajin Maj dhe Qershor 2017 do të jenë në Shqipëri Profesor Mark Small, drejtor i departamentit për familjen dhe jetën ne komunitet në Universitetin Clemson, në kuadrin e programit të fullbright që është duke ndjekur në Shqipëri dhe për një periudhë më të shkurtër Profesor Emeritus Bonnie Holaday.
