Klubi “Drejtësi dhe Mirëqeverisje”, nën kujdesin e pedagogut Prof. Erion Kristo dhe me drejtimin e vetë studentëve, organizoi një tjetër debat interaktiv, duke krijuar një hapësirë të hapur për shkëmbimin e ideve, argumentimin dhe reflektimin mbi çështje me rëndësi shoqërore.
Debati i kësaj jave iu kushtua temës “Altruizmi dhe dimensionet e tij: nga biologjia te sistemet shoqërore”, duke trajtuar katër këndvështrime kryesore:
Altruizmi biologjik: mbijetesa e gjeneve dhe ndërsjelltësia.
Altruizmi individual: gjendja shpirtërore dhe motivimet personale.
Altruizmi ndërpersonal: shkëmbimi social dhe empatia.
Altruizmi në sistemet shoqërore: normat e ndërsjelltësisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë sociale.
Diskutimi u drejtua nga studentët Eduart Gjoka dhe Xhoana Gorreja, të cilët moderuan shkëmbimin e ideve dhe nxitën pjesëmarrjen aktive të studentëve në analizimin e temës.
Përmes argumenteve, pyetjeve dhe këndvështrimeve të ndryshme, debati synoi të eksplorojë motivet që qëndrojnë pas sjelljes altruiste dhe rolin që ajo luan në marrëdhëniet njerëzore dhe në funksionimin e shoqërisë.
Nisma të tilla synojnë të zhvillojnë mendimin kritik, aftësitë argumentuese dhe kulturën e dialogut, duke u dhënë studentëve mundësinë të jenë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe protagonistë të jetës akademike.
