Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin akademik dhe pasurimin e burimeve bibliografike të Universitetit Barleti, Prof. Dr. Ramazan Isufi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Profesor në fushën e Kirurgjise Oro-maksilo-faciale, i dhuroi Bibliotekës së Universitetit një koleksion librash me vlerë shkencore dhe profesionale.
Ky akt përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e fondit bibliotekar dhe në zgjerimin e mundësive të studentëve për të pasur akses në literaturë të specializuar, të domosdoshme për thellimin e njohurive teorike, zhvillimin e mendimit kritik dhe përvetësimin e kompetencave profesionale.
Veçanërisht në fushën e Shkencave Mjekësore dhe Stomatologjisë, literatura akademike përbën një burim thelbësor për lidhjen e njohurive shkencore me praktikën profesionale, nxitjen e të nxënit të vazhdueshëm dhe formimin e specialistëve të ardhshëm të mirëpërgatitur.
Përtej vlerës së tyre bibliografike, këta libra përfaqësojnë një investim në edukimin universitar, në kulturën e dijes dhe në forcimin e traditës akademike të institucionit.
Universiteti vlerëson dhe falënderon këtë gjest, i cili dëshmon përgjegjësi akademike, përkushtim ndaj brezave të rinj dhe bindjen se dija merr vlerë të veçantë kur ndahet dhe vihet në shërbim të të tjerëve.
