Projekti AKKSHI-PTI “Paketa e Integruar e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Familje, Punë dhe Komunitet përmes Teknologjive Dixhitale” synon të kontribuojë në modernizimin e shërbimeve shëndetësore, duke ndërthurur inovacionin teknologjik me nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e zhvillimit social.
Projekti fokusohet në zhvillimin e një modeli të integruar të kujdesit shëndetësor parësor, të mbështetur në zgjidhje inovative dixhitale, që përfshijnë monitorimin në distancë të pacientëve, telemjekësinë, kujdesin në shtëpi, monitorimin e shëndetit në vendin e punës dhe shërbimet parandaluese në komunitet.
Përmes këtij modeli, synohet përmirësimi i aksesit në shërbimet shëndetësore, rritja e efikasitetit të kujdesit parësor dhe reduktimi i hospitalizimeve të panevojshme, duke i kushtuar vëmendje të veçantë grupeve vulnerabël.
Kjo nismë synon të kontribuojë në transformimin dixhital të sektorit shëndetësor, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve dhe politikave publike në fushën e shëndetësisë.
