Një mbrëmje për të festuar arritjet. Një hap i ri drejt së ardhmes.
Një mbrëmje e dedikuar studentëve, ëndrrave të tyre dhe gjithçkaje që kanë arritur gjatë viteve të studimit.
Fjalët e Rektores së Universitetit Barleti, Prof. Dr. Suzana Guxholli, sollën në këtë moment të veçantë mesazhin e universitetit për një brez që tashmë është gati të hedhë hapin e radhës. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte prania dhe fjala përshëndetëse e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Klodiana Spahiu, e cila iu drejtua diplomantëve me një mesazh motivues për rrugëtimin e tyre profesional dhe sfidat që i presin. Nga emocionet e skenës tek duartrokitjet e familjarëve, nga vlerësimi i studentëve ekselentë e të dalluar tek momenti i shumëpritur i marrjes së diplomës – çdo çast solli në vëmendje atë që qëndron pas një diplome: punë, përkushtim, sfida, miqësi dhe shumë ëndrra.
Një moment i veçantë ishte vlerësimi i ekselencës akademike, ku Administratorja e Deleguar e Universitetit Barleti, Znj. Merita Dinaj, akordoi bursë të plotë për studenten më të mirë të ciklit Bachelor, Alesia Fufi, duke përcjellë një mesazh të rëndësishëm për mbështetjen dhe promovimin e talentit.
Por kjo ceremoni nuk ishte vetëm për atë që u arrit. Ishte edhe për atë që sapo fillon.
Sepse pas auditorëve, provimeve dhe viteve të studimit, vjen koha për ta kthyer dijen në profesion, ambicien në rezultate dhe ëndrrat në realitet.
Universiteti Barleti është krenar për çdo student që sot nis një kapitull të ri dhe i beson të ardhmes së tyre.
Urime, diplomantë të Barletit!
Rruga juaj sapo ka filluar.
