Panairi i Punës 2026 në Universitetin Barleti konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një nga aktivitetet më të rëndësishme që lidh drejtpërdrejt studentët me tregun e punës. I organizuar më 22 prill nga Zyra e Karrierës, në bashkëpunim me Klubin e Karrierës, ky edicion solli një ndërveprim të gjerë mes akademisë dhe industrisë.
Mbi 60 kompani lider, vendase dhe ndërkombëtare, morën pjesë në panair, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish për internship-e, praktika profesionale, trajnime dhe punësim të drejtpërdrejtë. Përtej prezantimit të ofertave, aktiviteti funksionoi si një platformë konkrete bashkëpunimi, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me kërkesat e tregut dhe të ndërtojnë kontakte të vlefshme për zhvillimin e karrierës së tyre.
Në përshëndetjen e saj, Rektorja e Universitetit Barleti, Suzana Guxholli, vlerësoi praninë e bizneseve dhe rëndësinë e këtyre partneriteteve të vazhdueshme, duke theksuar rolin e tyre në përgatitjen profesionale të studentëve dhe në lehtësimin e integrimit të tyre në tregun e punës.
Interesi i lartë dhe angazhimi i studentëve gjatë gjithë aktivitetit konfirmoi rëndësinë e nismave të tilla, të cilat shkojnë përtej informimit dhe krijojnë mundësi reale për orientim dhe zhvillim profesional.
Ky edicion i Panairit të Punës e vendos edhe një herë Universitetin Barleti në një rol aktiv në ndërtimin e urave të qëndrueshme mes formimit akademik dhe botës së punës, duke kontribuar në përgatitjen e studentëve për sfidat konkrete të tregut.
