Studentët e programit të Drejtësisë në Universitetin “Barleti” zhvilluan një trajnim të specializuar të organizuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas (DNJF), i fokusuar në njohjen dhe zbatimin praktik të legjislacionit për ofrimin e ndihmës juridike falas.
Trajnimi synoi të njohë studentët me mekanizmat institucionalë dhe procedurat ligjore për garantimin e aksesit në drejtësi për qytetarët që nuk kanë mundësi të përballojnë shërbimet juridike, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së grupeve vulnerabël në shoqëri.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, studentët e vitit të pestë të programit të Drejtësisë do të zhvillojnë praktikën profesionale pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Kjo përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të forcuar aftësitë profesionale të studentëve, duke i përfshirë drejtpërdrejt në trajtimin praktik të çështjeve ligjore dhe në ofrimin e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për asistencë juridike.
Përmes aktiviteteve të tilla, Departamenti i Drejtësisë në Universitetin “Barleti” vijon të kontribuojë në përmbushjen e misionit të universitetit për edukim cilësor, angazhim me komunitetin dhe promovimin e vlerave të drejtësisë dhe shërbimit publik.
