Qeveria Studentore e Universitetit Barleti zhvilloi takimin e përmuajshëm, në të cilin mori pjesë edhe Rektorja e universitetit, Prof. Dr. Suzana Guxholli.
Gjatë takimit u diskutua mbi mbështetjen e studentëve në iniciativat dhe aktivitetet e tyre, si dhe mbi nisma të reja që synojnë përmirësimin e përvojës studentore në universitet. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua gjithashtu sugjerimeve konkrete të paraqitura nga përfaqësuesit e studentëve për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përmirësimin e jetës akademike, në prag të fillimit të semestrit të dytë.
Qeveria Studentore përbëhet nga përfaqësues të zgjedhur nga çdo vit dhe program studimi. Ajo luan një rol të rëndësishëm si urë lidhëse mes studentëve dhe stafit drejtues të universitetit, duke përcjellë shqetësimet, idetë dhe propozimet e studentëve, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të procesit akademik dhe të përvojës studentore në Universitetin Barleti.
Në fund të takimit, u theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit mes studentëve dhe drejtuesve të universitetit për të ndërtuar një mjedis akademik gjithnjë e më cilësor dhe gjithëpërfshirës.
