Në kuadër të programit MSc. Arkitekturë, në Universitetin Barleti u zhvilluan dorëzimet paraprake dhe finale të lëndës “Laboratori i Projektimit Arkitektonik 2”, një nga modulet kyçe të formimit profesional të studentëve të arkitekturës. Aktiviteti u realizua nën udhëheqjen akademike të Prof. Asoc. Ph.D. Saimir Kristo, në bashkëpunim me lëndën “Modelim Dixhital”, të drejtuar nga Ark. Hekuran Bendaj.
Prezantimet përmbyllëse u vlerësuan nga një juri e ftuar profesionale, ku morën pjesë Ark. Klesta Qirici dhe Ark. Iva Guxho, duke sjellë një perspektivë të vlefshme nga praktika bashkëkohore arkitektonike.
Tema e këtij viti u fokusua në projektimin e një banese familjare, duke trajtuar në mënyrë të veçantë marrëdhënien ndërmjet dritës natyrore dhe hapësirës arkitektonike. Studentët eksploruan zgjidhje kreative dhe teknike, duke ndërthurur konceptin, funksionalitetin dhe modelimin digjital në projekte të plota dhe të argumentuara.
Universiteti Barleti shpreh mirënjohje për të gjithë studentët pjesëmarrës, për “klientët” – anëtarë të komunitetit #Barleti që kontribuan në procesin e simulimit praktik, si dhe për kolegët profesionistë të jurisë së ftuar, të cilët ndanë përvojën dhe vlerësimet e tyre me brezin e ri të arkitektëve.
