Universiteti Barleti zhvilloi një leksion të hapur në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative (FSHAIT), në kuadër të projektit “Albania’s Preparation of Inventory of Banks of Used or Unwanted Controlled Substances” (Përgatitja e inventarit të bankave të substancave të kontrolluara të përdorura ose të padëshiruara në Shqipëri).
Aktiviteti u fokusua në temën “Roli i Arkitekturës në Mbrojtjen e Ozonit, Klimës dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Leksioni u mbajt nga pedagogët Prof. Asoc. PhD. Etleva Dobjani dhe Ledio Kosta, nën koordinimin e pedagoges Silvana Delia. Në aktivitet morën pjesë 53 studentë dhe pedagogë të programeve Master të Universitetit Barleti.
Gjatë leksionit u diskutua gjerësisht roli i arkitekturës në menaxhimin e burimeve dhe reduktimin e ndikimit mjedisor, duke u ndalur te sistemet aktive për uljen e konsumit energjetik dhe zbatimi i parimeve 3R – Reduktim, Ripërdorim, Riciklim – si mjete thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së menaxhimit teknik dhe inovativ të substancave të kontrolluara për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës.
Ky aktivitet nxiti një debat teknik dhe ndërdisiplinor mbi arkitekturën energjetikisht efikase dhe qëndrueshmërinë mjedisore, duke pajisur pjesëmarrësit me njohuri dhe kompetenca praktike për të adresuar sfida globale në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.
