Universiteti Barleti zhvilloi një leksion të hapur shumëdisiplinor në kuadër të projektit “Albania’s Preparation of Inventory of Banks of Used or Unwanted Controlled Substances” (Përgatitja e inventarit të bankave të substancave të kontrolluara të përdorura ose të padëshiruara në Shqipëri).
Leksioni u mbajt nga Dr. Dorina Xhani dhe u fokusua në rolin thelbësor të Protokollit të Montrealit dhe filozofisë 3R – Rikuperim, Riciklim dhe Rigjenerim – në mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës globale.
Në aktivitet morën pjesë 77 studentë dhe pedagogë nga programe të ndryshme Master të Universitetit Barleti, përfshirë Informatikën e Aplikuar, Studimet Europiane, Psikologjinë, Punën Sociale, Financë-Kontabilitetin dhe Drejtësinë Penale, duke krijuar një hapësirë diskutimi ndërdisiplinore mbi çështjet mjedisore.
Diskutimet u përqendruan në ndikimin e gazrave ftohës si CFC, HCFC dhe HFC, si dhe në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare për menaxhimin e tyre.
Leksioni u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm akademik, duke pajisur pjesëmarrësit me dije dhe kompetenca për të adresuar sfidat globale që lidhen me ndryshimet klimatike dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
