Universiteti Barleti, në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë Kombëtare të Ozonit (NjKO), zhvilloi një orë të hapur ndërgjegjësuese në kuadër të projektit strategjik “Albania’s Preparation of Inventory of Banks of Used or Unwanted Controlled Substances” (Përgatitja e inventarit të bankave të substancave të kontrolluara të përdorura ose të padëshiruara në Shqipëri).
Aktiviteti u mbajt në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë (FEQJ). Ora e hapur, e drejtuar nga pedagogu Dr. Gazmend Zeneli, trajtoi temën “Vepro, Riciklo, Shpëto: Roli yt në Protokollin e Montrealit”. Këtu morën pjesë 44 studentë dhe pedagogë të FEQJ-së, të cilët u njohën me rëndësinë e Protokollit të Montrealit, sfidat mjedisore aktuale dhe zbatimin e parimit 3R: Redukto, Ripërdor, Riciklo.
Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në angazhimin e komunitetit akademik, pasi hodhi bazat për krijimin e një grupi studentor ndërgjegjësues. Ky grup i ri do të synojë organizimin e aktiviteteve edukative dhe ricikluese periodike, duke fuqizuar rolin e Universitetit Barleti në nxitjen e angazhimit mjedisor dhe klimatik, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
