Në Universitetin Barleti u zhvillua me sukses leksioni i hapur me temë “Team Building dhe Komunikimi Efektiv në Sektorin Shëndetësor”, i konceptuar në dy pjesë tematike që sollën një qasje të ndërthurur teorike dhe praktike.
Në pjesën e parë, leksioni u mbajt nga Dr. Dhurata Ivziku, akademike nga diaspora, e cila trajtoi rëndësinë e punës në ekip dhe rolin thelbësor të komunikimit efektiv në institucionet shëndetësore. Ajo u ndal te ndërtimi i ekipeve funksionale, menaxhimi i marrëdhënieve profesionale dhe kuptimi i dinamikave të bashkëpunimit ndërmjet drejtuesve dhe anëtarëve të ekipit.
Në pjesën e dytë, lektore ishte Dr. Blerina Duka, e cila u fokusua te lidershipi, duke theksuar rolin e drejtuesit në motivimin e stafit, ndërtimin e besimit, menaxhimin e sfidave dhe krijimin e një kulture bashkëpunuese në mjediset shëndetësore.
Leksioni u shoqërua me shembuj praktikë, ushtrime interaktive dhe diskutime të hapura, duke nxitur reflektim dhe përfshirje aktive nga pjesëmarrësit.
Temat kryesore të trajtuara përfshinë:
• rëndësinë e punës në ekip në sektorin shëndetësor,
• identifikimin e dinamikave dhe sfidave të grupeve të punës,
• komunikimin si bazë për funksionimin efektiv të ekipeve,
• lidershipin si faktor kyç në drejtimin dhe suksesin e ekipeve,
• reflektime dhe ndërveprim aktiv me pjesëmarrësit.
Ky aktivitet përbën një eksperiencë të vlefshme për studentët, duke kontribuar në zhvillimin e aftësive të komunikimit, bashkëpunimit dhe lidershipit, të domosdoshme për formimin e tyre profesional dhe për përballimin e sfidave të ardhshme në fushën e shëndetësisë.
