Universiteti Barleti organizoi trajnimin Training of Trainers (ToT) në kuadër të projektit WB-Edu4Migration , financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+
Trajnimi u mbajt më 17–18 nëntor në Kolegjin AAB në Prishtinë dhe vazhdoi më 20–21 nëntor në Universitetin Barleti në Tiranë, duke mbledhur së bashku stafin e projektit dhe staf akademik të partnerëve rajonalë për një përvojë bashkëpunuese të të nxënit. Trajnimi u mbajt me sesionet online nga ekspertët Simona Pezzano, PhD, dhe Prof. Assoc. Andrea Miconi, të dy nga Universiteti IULM (Itali), të cilët prezantuan praktikat më të fundit në dizajnimin e mikro-kredencialeve. Sesionet në Prishtinë përfshinë staf akademik nga Kolegji AAB, IBCM dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”. Ndërsa sesionet në Tiranë bashkuan staf akademik nga Universiteti i Tiranës, Kolegji Universitar LOGOS dhe Universiteti Barleti.
Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me bazat konceptuale të mikro-kredencialeve dhe rolin që ato kanë fituar në arsimin modern. Sesionet përfshinë diskutime mbi përkufizimin, karakteristikat dhe komponentët thelbësorë të mikro-kredencialeve, si dhe mbi përfitimet që sjellin për studentët, mësuesit dhe punëdhënësit.
Në ditën e dytë, trajnimi mori një qasje më praktike, duke u fokusuar te planifikimi dhe dizajnimi i mikro-kredencialeve. Pjesëmarrësit punuan me materialet e siguruara nga WP3 për të organizuar përmbajtjet e kursit, për të përcaktuar rezultatet e të nxënit dhe për të strukturuar elementet kryesore të modulit.
Ky trajnim ofroi mundësi të rëndësishme për bashkëpunim dhe ngritje të kapaciteteve për universitetet e rajonit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt avancimit të rrugëve inovative dhe fleksibile të të nxënit për studentët. Përmes shkëmbimit të përvojave dhe punës praktike, pjesëmarrësit forcuan bashkëpunimin institucional dhe kontribuuan në zhvillimin e mikro- kredencialeve që u përgjigjen nevojave bashkëkohore të studentëve dhe tregut të punës.
