Në kuadër të veprimtarive të Klubit të Ligjit dhe Mirëqeverisjes, u zhvillua një aktivitet interaktiv me temë “E drejta për privatësi si e drejtë kushtetuese”, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë nga të gjitha vitet.
Takimi u moderua nga Prof. Elizabeta Imeraj, përgjegjëse e Departamentit të Drejtësisë, e cila solli një qasje profesionale dhe analitike mbi rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë si një e drejtë themelore në shoqëritë demokratike.
Aktiviteti u ideua nga koordinatorja e klubit, studentja Alesia Doku, dhe u karakterizua nga interes i lartë, debate të frytshme dhe reflektime të thella mbi balancën midis lirisë individuale dhe sigurisë publike.
Gjatë takimit, studentëve iu prezantua një projektligj për analizë dhe debat, duke i angazhuar në diskutime mbi zbatimin praktik të parimeve kushtetuese dhe zhvillimin e aftësive kritike në interpretimin juridik.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe stafi i Departamentit të Drejtësisë, duke e kthyer këtë nismë në një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit mes stafit akademik dhe studentëve për ndërtimin e një mjedisi aktiv studimor dhe qytetar.
