Në datat 28–30 tetor 2025, në UCL University College në Vejle (Danimarkë), u zhvillua trajnimi ndërkombëtar “Training of Trainers (ToT)”, pjesë e projektit Erasmus+ “WB-Edu4Migration – Mitigating Migration Challenges in the Western Balkans”.
Nga Universiteti Barleti morën pjesë anëtaret e stafit akademik, Dr. Olta Murataj dhe Dr. Kejda Nuhu, të cilat kontribuan në sesione tematike, prezantime dhe punë praktike mbi metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe ndërtimit të kapaciteteve në arsimin e lartë.
Projekti “WB-Edu4Migration” (2024–2027) synon të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar universitetet të zhvillojnë programe dhe metoda mësimdhënieje që u japin studentëve aftësi për të trajtuar çështje komplekse si ligjvënia, të drejtat e njeriut, komunikimi ndërkulturor, përfshirja shoqërore dhe pasojat ekonomike të migracionit.
Në këtë kuadër, trajnimi në Vejle mblodhi përfaqësues nga gjashtë universitete të Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku me FH Salzburg dhe stafin akademik të UCL University College.
Dita e parë e trajnimit iu dedikua metodologjisë problem-based learning, ku pjesëmarrësit u përfshinë në punë në grup dhe diskutime mbi aplikimin praktik të kësaj qasjeje. Në pjesën e dytë të ditës, Dr. Olta Murataj prezantoi temën “Socratic questioning and debates as a method”, duke udhëhequr diskutime dhe ushtrime praktike në grupe mbi përdorimin e pyetjeve dhe debateve si mjete për zhvillimin e të menduarit kritik te studentët.
Gjatë ditës së dytë, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me scenario-based didactics, një metodë interaktive e prezantuar nga Rasmus Leth Vergmann Jørnø, docent në UCL. Përmes ushtrimeve praktike dhe reflektimeve në grup, trajnerët zhvilluan ide mbi mënyrat se si skenarët didaktikë mund të integrohen në mësimdhënien bashkëkohore në fushën e punës sociale.
Dita e tretë solli një përvojë të veçantë me përfshirjen e studentëve të programit të Punës Sociale në UCL, të cilët morën pjesë në ushtrime praktike dhe diskutime ndërkulturore mbi çështjet e refugjatëve dhe emigrantëve. Një moment mbresëlënës ishte ligjërata e znj. Razan Haugaard, e cila ndau historinë e saj si një e emigruar nga Kurdistani dhe përvojën me punonjësit socialë në Danimarkë — një rrëfim që solli një dimension të thellë njerëzor mbi ndikimin e këtij profesioni.
Trajnimi u mbyll me reflektime mbi përvojat e fituara dhe ide për zbatimin e metodologjive të reja në arsimin e lartë në Shqipëri dhe Kosovë. Projekti WB-Edu4Migration do të vijojë së shpejti me aktivitetet e radhës në të dy vendet, duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për adresimin e sfidave të migracionit në Ballkanin Perëndimor.
