
Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin “Barleti” zhvilloi Ceremoninë e Bluzeve të Bardha 2025, një moment simbolik që shënon fillimin e rrugëtimit profesional të studentëve të programeve Stomatologji, Infermieri, Fizioterapi dhe Farmaci.
Në këtë ditë të veçantë morën pjesë Rektorja e Universitetit Barleti, Prof. Dr. Suzana Guxholli, si edhe stafi drejtues dhe akademik i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët ndanë me studentët fjalë frymëzuese për përkushtimin, etikën dhe humanizmin që kërkon profesioni mjekësor.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë emocionale, ku studentët veshën për herë të parë bluzat e bardha, simbol i besimit, përgjegjësisë dhe shërbimit ndaj njeriut.
Ky moment përfaqëson jo vetëm një hap drejt profesionit, por edhe një angazhim për të ndjekur rrugën e dijes, kujdesit dhe përkushtimit ndaj shëndetit të të tjerëve.
