Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me “Halimi Law & Tax” organizoi sot, 06 nëntor promovimin e librit “Të bëhesh një jurist i mirë”.
Studentët e Universitetit Barleti u prezantuan me librin e z.Eduart Halimi “Të bëhesh një jurist i mirë”, i cili i ndihmon ata se si të thellohen dhe të perfeksionojnë më shumë dijet e tyre akademike.
“Drejtësia e re që po krijohet ka shumë nevojë për ju dhe për juristë të rinj. Nuk ka nevojë për juristë mesatarë dhe mediokër, por ka nevojë për juristë që të jenë ambiciozë dhe që e duan me shpirt profesionin”, theksoi Halimi. Ai shtoi ndër të tjera se studentët sot kanë fatin që të shfletojnë literaturë nga e gjithë bota, ndaj duhet të jenë sa më të informuar nëse duan ta zotërojnë me profesionalizëm degën që kanë zgjedhur të studiojnë.
Libri synon të përgatisë juristët e rinj për tregun e ardhshëm të punës nëpërmjet të mësuarit si jurist i mirë me një praktikë ligjore me 120 kazuse e modele aktesh, se si të aplikosh në korporatat më të mëdha të naftës, bankave, teknologjisë, infrastrukturës dhe energjisë. “Libri synon t’ju tregojë praktikat ligjore, t’ju japë template formate aktesh. Ato që një jurist bën ditën e parë të punës, të dytë e kështu me radhë. Libri synon të përgatisë juristët e rinj të 2025-ës”, tha Halimi.
Shefja e Departamentit të Drejtësisë pranë Universitetit Barleti, Prof.Asoc. Elizabeta Imeraj e vlerësoi librin, si një manual, i cili do t’iu vlejë shumë studentëve të drejtësisë.
Ndër të tjera, Halimi njohu studentët me projektet e fondacionit “Halimi Foundation Institute”, ku i rikujoti të marrin pjesë në konkursin në formën e simulimit të gjyqeve, i cili zhvillohet në një nga mediat më të rëndësishme në vend.