Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni nënshkroi Protokollin e Bashkëpunimit me Universitetin Barleti, me Universitetin Politeknik te Tiranës dhe 3 Universitete të tjera Private që përgatisin profesionistë në fushën e zhvillimit urban, arkitekturës dhe Planifikimit të Territorit.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi synon përfshirjen e profesionistëve në proçeset e hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, administrimit të tokës, turizmit, legalizimit si dhe projektimit e ndërtimit.
Ministrja Gjermeni deklaroi se fryma e re e bashkëpunimit që Ministria përçon do të sigurojë që asnjë ligj të mos kalojë pa u konsultuar dhe pa marë ekspertizën akademike të universiteteve.
Përfaqësuesit e Universiteteve duke vlerësuar maksimalisht vizionin e Ministrisë u shprehën të gatshëm për të ofruar dijet dhe njohuritë e tyre dhe për të vënë në dispozicion specialistët më të mirë, në rastet e shqyrtimit të studimeve e projekteve për zhvillimin e territorit, ndërtimin dhe turizmin.
Palët angazhohen përmes kësaj marrëveshje të gjejnë rrugët efikase për zgjidhjen e problemit të strehimit, dhe hartimin e një platforme që synon t’i japë zgjidhje sa më të shpejtë problemit të të pastrehëve në vend. Bashkëpunimi do të përfshijë organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, publikimet në revistat shkencore të universiteteve si dhe hartimin e projekteve të përbashkëta kërkimore.
burimi - Ministria e zhvillimit urban dhe turizmit
