Këto njëzet vite tranzicioni e kanë ekspozuar Shqipërinë ndaj vështirësish të mëdha në përshtatjen me realitetin e ekonomisë së tregut të lirë. Në këto rrethana, vendi ka përjetuar kriza të përsëritura papunësie dhe aktivitet të ulët të fuqisë punëtore. Intensifikimi i procesit të integrimit evropian shton presionin dhe përgjegjësinë e Shqipërisë për të siguruar një treg pune më eficent dhe kushte më të mira për kompanitë vendase. Pritshmëritë në këtë drejtim kanë të bëjnë më së shumti me zbatimin e politikave më efektive të punësimit, të afta për të adresuar problemet e theksuara nga Komisioni Evropian dhe aktorë të tjerë.
Sot disa vite nga hyrja në fuqi e detyrimeve të MSA-së, një ndër sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen grupet e ndryshme të profesionistëve si dhe shoqëria në tërësi ka të bëjë me kuptueshmërinë sa më të madhe të të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga kjo marrëveshje transformuese. Nuk duhet të harrojmë se përpos mungesës së analizës dhe informimit në këto 6 vite zbatim, paqartësitë me të cilat këto grupe përballen i detyrohen gjithashtu dhe vetë mënyrës se si është negociuar MSA-ja: pa përfshirjen e mirëfilltë të grupeve të interesuara si dhe në mungesë thuajse totale të një vizioni proteksionist nga ana e palës shqiptare.
Në përputhje me zhvillimet e sipërpërmendura, Universiteti Barleti në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri organizuan ditën e premte më datë 7 mars 2014, tryezën e rrumbullakët rreth procesit të integrimit dhe ndikimit të tij në ekonominë dhe tregtinë në Shqipëri.
I ftuar në këtë aktivitet ishte zv. Ministri i Integrimit Evropian z. Gentian Elezi, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri z. Gledis Gjipali dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Çështje Publike z. Dorian Jano.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Rektori i Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro. Më pas zv. Ministri i Integrimit z. Elezi prezantoi punën dhe objektivat e ministrisë në lidhje me integrimin Evropian, duke dhënë theksin tek rishikimi i planit kombëtar të integrimit si dhe rolin aktiv që duhet të ketë shoqëria civile në procesin e integrimit. Më pas z. Jano referoi rreth ecurisë së politikës së zgjerimit dhe ndikimin e saj në Shqipëri. Z. Gjipali prezantoi gjetjet e studimit në lidhje me katër liritë si themeli i tregtisë së lirë në BE dhe ndikimin e tyre tek grupet e interesit. Gjatë referateve pati diskutime dhe pyetje nga akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
