Ditën e premte 28 shkurt, në ambjentet e Universitetit "Barleti", u mbajt një panel me temë "Drejtësia sociale në Shqipëri, sfidë apo realitet?". Ky aktivitet u mundësua nga bashkëpunimi mes Institutit Për Çështje Publike( AIPA) dhe Programit LEAD Albania. Ky panel kishte në fokus politikat dhe legjislacionin shqiptar kushtuar drejtësisë sociale si dhe sfidave që hasen ditë pas dite për garantimin e saj.
Këshilltarë të institucioneve më të larta të vendit si ai i Presidentit të Republikës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë mbajtën për auditorin e gjerë disa prezantime të situatës de iure dhe de facto të realitetit shqiptar. Kështu prezantimi i Këshilltares së Presidentit për Marrëdhëniet me Kuvendin, znj. Elona Bano, dhe njëkohësisht pedagoge e Universitetit Barleti, mbajti një temë rreth "Dinjitetit njerëzor dhe Drejtësisë Sociale në Shqipëri", prezantim ky plot interes për nga vështrimi krahasues legjislativ si dhe për jurisprudencën e sjellë në vemendjen e auditorit.
Këshilltari i Presidentit për marrëdhëniet me gjyqësorin z. Ledio Braho u përfaqësua me një tablo të gjerë të legjislacionit shqiptar kushtuar drejtësisë sociale si dhe problematikave të ratifikimit në tërësi të Kartës Sociale.
Interes zgjoi sidomos kumtesa e Këshilltarit Ligjor të Ministrit të Drejtësisë, z. Bledar Dervishaj i cili preku një temë aq të rëndësishme për Shqipërinë siç është rikthimi dhe kompensimi i pronave si dhe menaxhimi i territorit.
Ky panel ishte menduar të kish një sferë të gjerë temash e ndaj nuk do mund të mungonte trajtimi i objektivit social mbi sigurinë dhe garantimin e shëndetësisë. Këtë temë e trajtoi Këshilltari i Ministrit të Mirëqenies Socile dhe Rinisë, z. Admir Malaj.
Aktiviteti zgjati rreth dy ore nën frymën e një diskutimi të zjarrtë ku auditori në mënyrë aktive ngriti pyetje ndaj përfaqësuesve të institucioneve shtetërore por edhe komentuan së bashku duke propozuar zgjidhje praktike dhe pikëvështrime origjinale rreth një teme kaq të zjarrtë siç është shteti i së drejtës dhe drejtësia sociale, elemente akoma të brishta për vendin tonë.
Edhe njëherë Universiteti "Barleti" tregoi se është një qendër jo vetëm akademike dhe arsimore por është një aktor i rëndësishëm i cili me vështrim objektiv dhe profesional trajton gjithmonë problematika shqetësuese për shoqërinë shqiptare.
