Kryetari i grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, z. Hannes Swoboda zhvilloi një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Barleti, si pjesë e vizitës së tij zyrtare dy-ditore në Tiranë.
Takimi me z. Swoboda u zhvillua në një nga sallat e leksioneve të UB, ditën e diel, 26 janar, në ora 18:00, ku morën pjesë rreth 120 studentë e pedagogë të këtij universiteti. Z. Swoboda shoqërohej nga z. Libor Rouček - deputet i grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, dhe z. Taulant Balla - nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pas fjalës së mirëseardhjes nga rektori i universitetit z. Marenglen Spiro, fjalën e mori z. Balla, i cili e cilësoi euro-deputetin Swoboda si një mik të Shqipërisë që ka mbështetur kurdoherë integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Më pas fjalën e mori z. Swoboda, i cili shprehu kënaqësinë që ndodhej midis studentësh për të diskutuar rreth integrimit dhe sfidave Evropiane. Në hapje të fjalës së tij, z. Swoboda fillimisht prezantoi rolin që ai ka në Parlamentin Evropian si dhe rëndësinë e idesë së një Evrope të bashkuar, jo vetëm për një pjesë të elitës apo vetëm për disa shtete, por një Evropë për të gjithë qytetarët e vet. Z. Swoboda rikujtoi ndasitë që ka patur Evropa, ‘perden e hekurt’ që ndante dikur Evropën në dy kampe, dhe situatën dramatike të Shqipërisë së pas viteve ’90. Sot, pavarësisht sfidave ekonomike, Evropa e bashkuar është gjithmonë alternativa më e mirë ‘për t’u rritur së bashku’.
Z. Swoboda shprehu keqardhjen që Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për në BE gjatë muajit dhjetor. "Jam i zhgënjyer që nuk e morët statusin kandidat. Unë jam pro Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe shpresoj që Shqipëria të marrë statusin në qershor, 2014. Shqipërisë duhet t'i jepet ky shans, por e rëndësishme është që qeveria të kryejë reformat. Parësore është respektimi i të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike", argumentoi kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian. Duke u ndalur tek hapat që duhet të realizojë qeveria shqiptare dhe reformat që duhet të ndërmarrë në rrugën e saj drejt integrimit Evropian, Swoboda u shpreh se lufta ndaj korrupsionit është një kriter i domosdoshëm për të përafruar hapat drejt BE-së. Sipas tij të luftosh korrupsionin, do të thotë së pari të përmirësosh ekonominë dhe të forcosh rolin e vendit në rajon e më gjerë. Gjithashtu z. Swoboda theksoi zbatimin e të drejtave të njeriut për të gjitha grupet shoqërore, pavarësisht nga gjinia, grupimi politik, orientimi seksual apo besimi.
Z. Swoboda tha se, Shqipëria ka ende rrugë për të bërë në procesin integrues drejt BE-së. Sipas tij, në funksion të përmbushjes së kritereve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, me rëndësi të madhe është bashkëpunimi i ndërsjellë politik, e sidomos mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve në Parlament. Z. Swoboda solli shembullin e grupimeve euro-parlamentare, të cilat pavarësisht se për disa çështje janë të ndarë, bashkëpunojnë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta Evropiane.
Më tej, z. Swoboda argumentoi se duhet të luftojmë për zgjedhje të përbashkëta Evropiane në aspektin ekonomik, duke i vënë një rëndësi të veçantë krijimit të tregjeve të mëdha ekonomike, çka kanë përparësi krahas atyre të vogla. Duhet luftuar papunësia dhe diferencat mes shtresave shoqërore. “Realizoni reformat e duhura për t'ju bashkuar Bashkimit Evropian, si dhe shpresoj që do t’a tregoni forcën që duhet për të mposhtur skeptikët”, shpjegoi Swoboda.
Një ndër problemet shqetësuese me të cilat përballet Evropa e sotme në krizë është papunësia e lartë dhe rritja e ulët ekonomike, duke sjellë kësisoj diferenca të mëdha, jo vetëm ekonomike por edhe sociale midis njerëzve, argumentoi ai duke e konceptuar Evropën e bashkuar jo thjesht si bashkim ekonomik, por edhe bashkim të vlerave.
Papunësia e të rinjve është një shqetësim tepër i madh për Evropën në tërësi, vazhdoi z. Swoboda duke iu drejtuar studentëve, të cilët së shpejti do të jenë pjesë e tregut të punës. Evropa ka nevojë për vende të reja pune dhe një gjeneratë të re, të edukuar dhe të kualifikuar që do t’i përdorë ato.
Të rinjtë e falënderuan për fjalën e përzemërt e të qartë dhe zhvilluan me pas një bashkëbisedim interesant. Z. Swoboda iu përgjigj me durim e dashamirësi pyetjeve të studentëve dhe pedagogëve.
