Në kuadër të Forumit Barleti për leksioneve të hapura me personalitete të jetës politike të vendit dhe të huaj, me përfaqësues të organizmave ndërkombëtare dhe me diplomatë të akredituar në Shqipëri, Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në bashkëpunim me Departamentin e Arkitektures DA pranë Universitetin Barleti, organizoi në datë 20 Janar 2014, në auditorin e Universitetit Barleti, leksionin e hapur mbi "konceptin e Smart City dhe zhvillimin e qëndrueshëm". I ftuar ishte ambasadori italian në Shqipëri, Z. Massimo Gaiani. Drejtori i Institutit Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), Dr. Dorian Jano, i uroi mirëseardhjen ambasadorit Italian, duke theksuar rëndësinë e vizitës së tij, ndërsa shefi i departamentit të arkitekturës, Ing/Ark Z. Spartak Bagllamaja bëri një përmbledhje të Konceptit Smart City, ku evidentoi rëndësinë e zhvillimeve urbane në forma inteligjente dhe të qëndrueshme, i cili prezantohet tashmë si një mundësi e madhe që administron në mënyrë efikase të ardhmen e qytetit.
Ambasadori Gaiani e nisi fjalën e tij duke shprehur kënaqësinë që është pranë studentëve dhe, mbi të gjitha, që është kthyer sërish në Shqipëri, pas eksperiencës së tij si pjesë e strukturave të integrimit evropian në vendin tonë.
Më tej, në fjalën e tij, ambasadori Gaiani u fokusua mbi konceptin "Smart City", objektivi i të cilit qytetit inteligjent është kombinimi i një modeli urban ku ruajtja e ambientit, efikasiteti energjetik dhe produktiviteti ekonomik, aplikohen në formën më rezultative të kohës. Padyshim që gjithë ky koncept mbështetet nga modeli bashkëkohor teknologjik, ku përdorimi i energjive të rinovueshme, sistemet efikase të ngrohjes e të ftohjes, ndriçimit, infrastruktura e shërbimeve publike konceptohen dhe realizohen, që qyteti i ndërtuar nga njeriu t’i shërbejë njeriut. Edhe pse projekti i Smart City-t është aplikuar kryesisht në botën e zhvilluar, ku burimet financiare janë më prezent, kohët e fundit vërehet dhe një aplikim i këtij fenomeni dhe në qytetet e vendeve në zhvillim, e kryesisht të ish-Evropës Lindore. Në fund të fjalës së tij, dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga pedagogët, studentët dhe specialistët, ambasadori theksoi pikat e rëndësishme ku duhet të fokusohet Smart City në Shqipëri, për të çuar përpara procesin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Forumi Barleti
Nëpërmjet debateve të hapura, Forumi Barleti shpalos ide dhe vizione alternative rreth ndryshimeve të cilat do të përmirësonin formësimin e të ardhmes së Shqipërisë. Ky Forum është konceptuar dhe dizenjuar si një aktivitet multidimensional, i cili përmban leksione të hapura, konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta.
Programi i detajuar i Forumit Barleti përgatitet dhe është nën patronazhin e stafit akademik të Universitetit Barleti.
