Në datën 21 Janar 2014, në orën 11.00, në ambientet e Universitetit Barleti, u mbajt trajnimi i parë, i një cikli prej gjashtë trajnimesh mbi "Rolin e OSBE-së dhe Kontributin e saj në Shqipëri", në kuadër të bashkëpunimit të Institutit Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA), Universitetit Barleti (UB) në partneritet me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e pranishme në Shqipëri .
Takimi i parë u mbajt nga zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së, Z. Robert Wilton, i cili duke folur në gjuhën shqipe, në fillim prezantoi stafin dhe ekipin e punës dhe pastaj ftoi të gjithë pjesëmarrësit në një debat interaktiv, mbi njohuritë rreth rolit dhe misionit të OSBE, përtej rolit këshillues në proceset zgjedhore.
Fjala e hapjes u mbajt nga Z. Dorian Jano, Drejtor i Institutit Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA), i cili ndër të tjera theksoi se për OSBE-në në Shqipëri, praktika flet vetë, ndërsa një rëndësi të veçantë ka historiku, evoluimi, misioni dhe roli i saj sot në fusha si siguria, ekonomia dhe sundimi i ligjit.
Z. Wilton në fillim të fjalës së tij, bëri një përshkrim të kësaj organizate, duke e quajtur atë “të posaçme”, jo vetëm për historikun e krijimit të saj si një produkt gjatë periudhës së luftës së ftohtë me emrin Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE) por edhe si rrjedhojë e një sërë bisedimesh midis Rusisë dhe SHBA-ve.
Por rënia e perdes së hekurt në vitin 1990, pati si pasojë futjen e Evropës në një fazë të re ndryshimesh, ndryshime të cilat u manifestuan edhe brenda organizatës.
KSBE u themelua në vitin 1975 me Aktin Final të Helsinkit me 35 shtete pjesëmarrëse atë vit, ndërsa në 1 janar të vitit 1995 ajo ndryshon emrin në “Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë” (OSBE). Sot numëron 57 shtete, me mbi 3500 punonjës, duke e shtrirë veprimtarinë e saj në 3 fusha kryesore: në fushën e sigurisë në Evropë, në fushën ekonomike dhe shkencore dhe në atë humanitare.
OSBE është një organizatë rajonale, sipas kapitullit të VIII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe është një vëzhguese në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Pjesa e dytë e këtij takimi iu rezervua diskutimit rreth cilësisë së punës që prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka bërë në lidhje me autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile, në promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e kësaj organizate ku Shqipëria është anëtare më të drejta të plota që nga viti 1991.
Z. Wilton deklaroi se burimet njerëzore sot për Shqipërinë nga OSBE- ja, numërojnë rreth 83 nënpunës ndërsa në Kosovë rreth 600. Në fund të fjalës së tij zëvendës Shefi i Misionit u ndal në buxhetin e OSBE-së në dispozicion të Shqipërisë.
Pjesa tjetër e trajnimit ishte një debat interaktiv, i bazuar në përgjigjet e pyetësorit, të cilin të pranishmit e kishin plotësuar në fillim të prezantimit nga Z. Wilton nga rezultatet e tij u evidentua se roli i OSBE-së në Shqipëri ishte vlerësuar si shumë pozitiv.
