Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA) dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit Barleti, në kuadër të projektit Tempus ‘Heart’ dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Hollandës në Tiranë organizuan një program dy-ditor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ditën e Martë, datë 10 Dhjetor, drejtori i instituti AIPA, Dr. Dorian Jano së bashku me përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile morën pjesë në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të simbolit të të Drejtave të Njeriut. Në këtë ceremoni, vetë Ambasadori Hollandez z. Martin de la Beij i dorëzoi Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. ErionVeliaj simbolin e të drejtave të njeriut - një skulpturë artistike punuar me dru të ricikluar në bazamentin e të cilit ishin gdhendur shprehje në mbrojtjen e të drejtave të disa nga grupeve më pak të privilegjuara të shoqërisë. Simboli i të drejtave të njeriut është një element emblematik i cili thekson rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut.
Programi dy ditor përfshiu gjithashtu shfaqjen e katër filmave dokumentar të rinj të cilët trajtojnë një spektër të gjerë të çështjeve të të drejtave të njeriut. Ditën e hënë, datë 9 dhjetor dhe ditën e martë, datë 10 dhjetor, në ambientet e Universitetit Barleti u shfaqën katër filma të rinj dokumentarë: “Forbidden Voices” (Zëra të Ndaluar), “Tall as the Baobab Tree” (I Gjatë si Pema e Baobasë), “Rafea: Solar Mama” (Rafea: Mamaja Solare), “Reportero” (Raportuesi). Ngjarjet pavarësisht se zhvillohen në kontinente të ndryshëm, janë aktualë në shumë prej çështjeve që ato trajtojnë. Filmat dokumentarë ishin materiali kryesor për të informuar dhe zhvilluar më pas një debat konstruktiv midis pedagogëve, studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile mbi çështje specifike të të drejtave të njeriut. Shfaqja e filmave dokumentarë ishte një mundësi për të diskutuar dhe advokuar çështjet e të drejtave të njeriut me studentët.
Pas fjalës përshëndetëse të rektorit të Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro, Ambasadori Hollandez z. Martin de la Beij, i pranishëm në aktivitet adresoi rëndësinë simbolike të ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe faktin se të drejtat e njeriut janë një çështje universale dhe respektimi i plotë i tyre duhet të përfshijë të gjithë aktorët institucionalë dhe civilë.
Dr. Saemira Pino, dekane e fakultetit të Shkencave Sociale, theksoi rëndësinë e edukimit të të drejtave të njeriut jo vetëm në kurrikulën tradicionale, drejtësi por edhe në shkencat e tjera sociale dhe humane. Iniciativë e kësaj ideje është edhe angazhimi i Universitetit Barleti në projektin HEART, i cili synon të vendosi të vendosi të drejtat e njeriut në qendër të arsimit universitar nëpërmjet aktiviteteve akademike, një nga të cilat është edhe përdorimi i filmave dokumentarë si instrument në mësimin e të drejtave të njeriut.
Më pas pedagogia Edlira Lloha, në vijim të eksperiencës së shkëmbimit ndër-universitar me universitetin partner të HEARTS, diskutoj rreth problematikës të shkeljes së të drejtave të njeriut në vendet e rajonit dhe më gjerë.
Pedagogu dhe aktivisti, Erion Kristo theksoi rëndësinë që kanë zënë të drejtat e njeriut ndër-shekuj dhe nënvizoi rëndësinë e një komisionari për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Mesazhi i Ambasadorit Hollandez z. Martin de la Beij, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
http://www.youtube.com/watch?v=7YRumin9_RU&feature=youtu.be
Shkarko kartolinen "Simboli i të Drejtave të Njeriut"

