Qendra e Karrierës në bashkëpunim me USAID/ Rritje Albania, organizuan në datën 09 Dhjetor 2013, në orën 12:00, në ambientet e Universitetit Barleti pranë Kampusit 1, workshopi-in me temë "Si të shkruajmë një CV të kualifikueshme?". Ky aktivitet u drejtua nga Z. Visar Ademi, ekspert i këshillimit të karrierës, i kontraktuar nga USAID/ Rritje Albania.
Ky aktivitet synoi të pajiste studentët me një informacion të plotë në lidhje me mënyrën e shkrimit të një CV-je të kualifikueshme si një mjet i fuqishëm marketingu për të siguruar një intervistë, e cila do të ndihmojë në përgatitjen për një të ardhme të suksesshme dhe një karrierë të madhe. Sipas Z. Ademi, nuk ka asnjë mënyrë të drejtë ose të gabuar për të shkruar një CV, e rëndësishme është që ajo duhet të reflektojë eksperiencën unike të individit, personalitetin, stilin dhe objektivi është që të komunikojë atë çfarë e dallon si kandidat pretendent.
Workshop-i u organizua në dy faza: në fazën e parë u improvizua një role-play ku studentët u ndanë në dy grupe duke supozuar se ata ishin punëdhënës dhe duhet të zgjidhnin se cilat ishin kompetencat e domosdoshme dhe cilat të pëlqyeshme për një pozicion vakant. Në fazën e dyte u analizuan të gjithë elementët e një CV të suksesshme, e cila duhet të përmbledhë aftësitë, edukimin, aktivitetet jashtë kurikulare, eksperiencat dhe të demonstrojë se si kualifikimet përputhen me nevojat e punëdhënësit.
Një minutazh i konsiderueshëm ju rezervua edhe seksionit pyetje - përgjigje, ku studentët e Bachelor-it ishin të interesuar për mënyrën se si mund të plotësojnë pjesën e eksperiencës në punë duke qenë se janë të rinj në tregun e punës.
Qendra e Karrierës në UB mund të kontaktohet nëpërmjet e-mailit në [email protected] ose në faqen e saj në facebook.