Ka përfunduar me sukses për Barletaset ndeshja e fundit e Kampionatit të volejbollit, për fazën e parë.Vajzat universitare kanë korrur një tjetër fitore këtë fundjavë, në derbin kundër Teutës.
Kështu ekipi Barletas me kalimin e kohës sa vjen e konkretizohet si skuadra më e fortë, e cila qëndron e para në krye të renditjes së klasifikimit të kampionatit për sezonin 2013-2014.
Ndeshja u zhvillua në pallatin e sportit Asllan Rusi në kryeqytet. Vajzat e ekipit të Teutës realizuan një ndeshje mjaft serioze, ndonëse me mungesën e lojtares organizatore.
Kështu seti i parë ka qenë i balancuar herë pas here, deri në fitimin e setit të parë nga Barletaset.
Trajneri i vajzave universitare ka bërë ndërrime të shpeshta, duke qenë se mbrojtja jonë nuk po funksiononte siç duhej. Duhet theksuar gjithashtu që vajzat e UB-së kanë marrë disa faulle radhazi, sidomos në bllokun e lojtares së re Bici, e cila nuk ka qenë në ditën e saj më të mirë.
Pavarësisht këtyre ngërçeve, blloku jonë ka qenë i organizuar. Tuci e Nezaj kanë realizuar detyrat e tyre me përpikmëri. Dy setet e tjera kanë qenë pasqyre e njëra-tjetrës, ku të dyja ekipet udhëtuan në të njëjtat ritme deri në fund. Megjithatë ekipi universitar, i cili udhëhoqi gjatë gjithë kohës, triumfoi.
Ekipi i Teutës ka bërë një paraqitje të mire, por ka prirje të gabojë në momentet kyçe të lojës. Kështu, aftësitë dhe eksperienca e lojtareve të UB-së ka treguar më shumë forcë, dhe në gjendje të përballojë lojën deri në fund.
Përvoja e lojtareve të UB-së nuk njeh kundërshtar dhe rikonfirmohet në krye të renditjes.
