Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri (EdUSA Albania) ka përfunduar me sukses një tur prezantimesh dhe eventesh të rëndësishme gjatë javës dedikuar studentëve ndërkombëtarë.
Në të gjitha takimet e saj, EdUSA Albania ka pasur të pranishme znj. Cheryl Francisconi, koordinatore rajonale e edukimit për Evropën Jugore, e cila vizitonte për herë të parë Shqipërinë, znj. Mirela Çupi, Asistente për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane dhe znj. Jonida Lamaj, drejtore e Qendrës Informative të Arsimit Amerikan në Shqipëri.
Qendra EDUSA organizoi në Universitetin “Barleti” dy prezantimet e para mbi mundësitë e studimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Znj. Francisconi ofroi një pasqyrë të sistemit arsimor në SHBA, përputhshmërinë e tij me sistemin arsimor shqiptar, mundësitë dhe kategoritë e bursave, dhe inkurajoi të gjithë studentët dhe gjimnazistët e pranishëm të njihen më nga afër me shërbimet që ofron Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri.
Znj. Lamaj, në prezantimin e saj, u ndal në hapat që ndiqen për të aplikuar në një Universitet apo Kolegj në ShBA, kur është koha e duhur për të aplikuar dhe cilat janë disa nga kërkesat kryesore që studentët shqiptarë do të duhet t’i plotësojnë paraprakisht.
Këto prezantime u mbajtën gjithashtu për studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe për studentët e Universitetit të New York në Tiranë.
Në datat 13 - 17 nëntor, EdUSA Albania ka qenë pjesëmarrëse në panairin e librit në Pallatin e Koncerteve. Panairi i librit është një event i rëndësishëm për lexuesit e studiuesit shqiptar dhe, falë vizitorëve të shumtë, fama e tij po rritet vit pas viti.
Pjesëmarrja në këtë panair u mundësua nga stenda e Ambasadës Amerikanë në Shqipëri, e cila për të dytin vit radhazi na ka mirëpritur me dashamirësi.
Gjatë këtij eventi, studentë vullnetarë dhe konsulentë të Qendrës EdUSA kanë dhënë informacion të përgjithshëm lidhur me mundësitë e studimit në Shtetet e Bashkuara, procedurat e aplikimit, mundësitë e bursave, aplikimet për vizë studentore etj..
Stenda jonë u vizitua nga nxënës të shkollave të mesme, mësues e pedagogë, studentë e prindër të interesuar për të arsimuar fëmijët e tyre në ShBA.
Gjatë kësaj jave, EdUSA Albania organizoi në Universitetin Barleti orientimin përgatitor të studentëve shqiptarë, të cilët do të fillojnë shkollën në muajin janar në Shtetet e Bashkuara. Prezantimi u realizua nga US Fulbright Elena Shomos, e cila informoi studentët mbi udhëtimin e tyre në USA, kontaktin e parë me shkollën dhe konviktin, jetën studentore, konsumin e kafes, ligjet mbi përdorimin e alkoolit dhe drogës, shërbimet shëndetësore, kreditë studentore etj..
Orientimin përgatitor e ndoqën studentët: Roberta Spathari (St. Petersburg College (SpS), Arion Ndregjoni (Bergon Community College), Elba Kapllani (Brigham University Provo), Arbër Dumani (Metropolitan Community College, MCC), Armand Bajraktari (Bergon Community College), Albana Marku (Oakland Community College), Laura Merja dhe Paskualino Mjeda (New York City College).
Një tjetër event i rëndësishëm u organizua në kampusin 2 të Universitetit Barleti, ku u mbajt panairi virtual i studimeve. Këtu studentët e interesuar mund të ndiqnin online Universitetin ose Kolegjin e preferuar dhe mund të kontaktonin drejtpërdrejtë me konsulentët e tyre.
Panairi virtual i studimeve zhvillohet çdo vit gjatë muajit nëntor në të gjithë botën. Këtu studentët e interesuar pyesin lidhur me mundësitë e bursave, procedurave të aplikimit, vendndodhjen e institucionit dhe të dhëna suplementare për të. I njëjti event u organizua gjithashtu pranë American Corner në Tiranë.
Java dedikuar studentëve ndërkombëtarë u publikua në emisionin e pasdites në Vizion +. Të pranishëm ishin znj. Cheryl Francisconi, Jonida Lamaj dhe studentja Roberta Spathari.
Informacion më të detajuar lidhur me njoftimet, eventet dhe shërbimet e Qendrës EdUSA e gjeni këtu www.educationusa.al
