Ka startuar të premten kampionati kombëtar i volejbollit për Femra. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet është luajtur takimi i parë i sezonit të ri sportiv 2013-2014.
Derbi i kryeqytetit Barleti Volley - Partizani, ka përfunduar me fitoren 3-0 për universitaret Barletase.
Skuadra e Universitetit Barleti ka fituar bindshëm 3-0 ndaj Partizanit, duke marrë 3 pikët e para në kampionat, në grupin A1 për femra. Pas një seti të parë disi të ekuilibruar, të mbyllur me shifrat 25- 21, gjuajtjet e Shkurtit dhe Brahos në pozicionin 4, dhe blloqet e Nezaj-t e Tucit në qendër, e çorientuan kundërshtarin.
Setet e tjera, i dyti dhe i treti kanë qenë plotësisht nën udhëheqjen e Barletit, duke u dominuar plotësisht nga Barletaset. Trajneri Hasan Gurabardhi i Barleti Volleyi pas përfundimit të ndeshjes, tregoi se është favorit në luftën për titullin kampion dhe do luftojë deri në fund.
Ndeshja pati emocione, duke qenë se këto dy ekipe ritakoheshin për herë të parë këte sezon.
Gjithashtu të dyja këto skuadra kanë investuar në përbërjen dhe organizimin e ekipit, duke marrë lojtare me eksperience, pjesëtare të ekipit kombëtare. Risi e këtij edicioni do të jetë pjesëmarrja e skuadrave të Divjakës, Apolonisë, Flamurtarit dhe Elbasanit për femra.
Kështu pra, vajzat tona e nisin mire këtë sezon duke siguruar 3 pikë të rëndësishme, duke i lënë vend fitoreve të radhës.
