Në lektoriumin e organizuar në Universitetin “Barleti”, në datën 29 tetor 2013, mbajti ligjëratën e saj Prof. Berteke Waaldijk nga Universiteti i Utrechtit, Holandë,
“Kontekste që ndryshojnë : Studimet gjinore dhe qytetaria në Europë”
Prof. Waaldijk bëri një përshkrim të shkurtër historik të rrugës që ka ndjekur kjo disiplinë relativisht e re në mjediset akademike. Deri më 1970, në Universitetet Europiane nuk ekzistonin programe akademike kushtuar studimeve gjinore. Përfshirja në curriculën akademike dhe zgjerimi i kërkimeve në këtë fushë përkoi me ndryshimet e mëdha sociale që ndodhën në të gjitha shoqëritë europiane.
Për të gjithë njerëzit në Europë, qytetaria ka ndryshuar gjatë 40 viteve të fundit. Në Europën Qëndrore dhe Lindore, shtetet socialiste u shpërbënë, ndërkohë që u zhvillluan forma të reja të shoqërisë civile dhe sipërmarrjeve private. Në Evropën Perëndimore u rrit pjesëmarrja e grave në punën e paguar. Në të dy pjesët e Europës, marrëdhëniet ndërmjet hapësirave publike dhe private ndryshuan në mënyrë rrënjësore e të shpejtë. Migrimi ndryshoi përbërjen e popullsive në të gjitha vendet e Europës. Revolucioni dixhital pati një ndikim të thellë në komunitetet sociale, ekonomike dhe financiare.
Në këto kontekste që ndryshojnë në mënyrë dramatike, studimet gjinore operojnë në një fushë tensioni ndërmjet kërkimit shkencor dhe skolastik nga njëra anë dhe kritikës politike, përfshirjes sociale dhe projekteve për “ ndryshimin e botës” nga ana tjetër. Studentët, lektorët dhe studiuesit vijnë në këtë fushë kritike pasi ata/ato nuk e pranojnë pabarazinë gjinore, ato/ata donin dhe duan t`i japin fund përjashtimit dhe diskriminimit. Në të njëjtën kohë ato/ata mendojnë se bëjnë më shumë se ‘vetëm politika feministe’: studimet gjinore po thellojnë dijen dhe ofrojnë kompetenca specifike për ta mësuar e përhapur atë.
Konteksti i ndryshueshëm i Europës në 40 vitet e fundit, ka sjellë zbulime dhe krijime të formave të reja të qytetarisë. Qytetaria nuk është më vetëm kombëtare, ajo është gjithashtu ndërkombëtare (lokale, rajonale, europiane, globale). Politikanët dhe vendimmarrësit, aktivistët e shoqërisë civile dhe studiuesit akademikë kanë vënë në dukje që detyrimet dhe të drejtat (civile, politike dhe sociale) të qytetarëve nuk mund të kuptohen pa kuptuar marrëdhëniet gjinore.
Ligjëruesja theksoi se nuk ka asnjë kundërshti ndërmjet trajtimit teorik të marrëdhënieve gjinore dhe aspiratave për drejtësi sociale. Studimet gjinore përfitojnë nga ndërveprimi me aktorë të ndryshëm: politikëbërës të qeverive kombëtare apo institucioneve ndërkombëtare (BE, OKB), aktivistë feministë, përfaqësues të organizatave jofitimprurëse. Studimet Gjinore operojnë në kontekste në ndryshim të vazhdueshëm, por gjithashtu ato vetë i ndryshojnë këto kontekste.
Ky është aktiviteti i dytë që zhvillohet në kuadrin e këtij forumi të lartë akademik në UB. Pjesëmarrja e gjerë e profesoratit, e të ftuarve të tjerë, anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të OJF dhe ekspertëve të fushës tregon për një interesim gjithnjë në rritje për të tilla ngjarje akademike.
Prof. Dr. Waaldijk (1957) është historiane. Aktualisht drejton Departamentin për “Studime Gjuhësore dhe Kulturore” në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin e Utrechtit. Ajo është themeluese e Programit Universitar të Studimeve Gjinore (www.genderstudies.nl), në këtë universiteti. Botimet e saj analizojnë nga pikëpamja historike dhe gjinore punën sociale në Holandë dhe Europë, kulturën koloniale dhe qytetarinë, historinë e lëvizjes së grave holandeze etj. Ajo është pjesëmarrëse në disa projekte për mësimdhënien lidhur me Studimet Gjinore Europiane dhe Programin e Arteve Liberale në Universitetin e Utrechtit. Waaldijk ka qenë koordinatore akademike e ATHENA3, Rrjeti i Avancuar Teorik në Studimet e Grave në Europë (2005-2009) dhe ka drejtuar grupin kërkimor “Puna, Gjinia dhe Shoqëria” të Rrjetit të Ekselencës CliohRES (2005-2010). Ajo ka drejtuar bordin editorial të ‘Broshurës së ndërthurur’ Pika referimi për hartimin dhe dhënien e programeve universitare në Studimet Gjinore (Socrates/Programi i të mësuarit për gjatë gjithë jetës: 2010) Në vitin 2009 Berteke Waaldijk themeloi Shoqatën Europiane për Kërkim Edukim dhe Dokumentim Gjinor, ATGENDER. www.atgender.eu.
Ajo prej disa kohësh ka marrëdhënie bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Sociale të UB me dekanen e të cilit, Dr. Saemira Pino, bashkëudhëheqin një tezë doktorate.
