Universiteti Barleti hapi siparin e një cikli të tërë leksionesh, me leksionin e hapur: "Sfidat demografike të Shqipërisë në shekullin e XX në kushtet e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm" mbajtur nga Dr. Arjan Gjonça, më 22 qershor 2011. Protagonistë të këtij cikli do të jenë shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Dr. Gjonça është jo vetëm një personalitet në fushën e demografisë, me një përvojë të gjatë pune akademike dhe kërkimore, në një nga universitetet më prestigjiozë të Evropës siç është LSE - "London School of Economics and Political Science", por edhe një bashkëpunëtor i ngushtë në çështjet profesionale me institucione shqiptare e të vendeve të ndryshme të botës.
Në prezantimin e tij, Dr. Gjonça dha një panoramë përmbledhëse të zhvillimeve dhe proceseve demografike të lindshmërisë, vdekshmërisë dhe emigracionit në Shqipëri, në periudha të ndryshme kohore, duke theksuar se si këto fenomene kanë ndikuar në zhvillimin social-ekonomik dhe shëndetin e popullsisë. Zhvillimet në Shqipëri u sollën në një vështrim krahasues me vendet e tjera evropiane dhe botërore, duke na përcjellë disa gjetje dhe koncepte të reja dhe bashkëkohore, lidhur me sjelljen demografike dhe nevojën për shfrytëzimin e duhur të disa prej fenomeneve apo karakteristikave që paraqet demografia e popullsia shqiptare, si plakja, mosha aktive për punë e kështu me radhë.
Dr. Gjonça iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesit të të pranishmëve të cilët, ndër të tjera, lidhnin gjetjet empirike dhe teorike të tij, me disa nga nismat që kanë ndërmarrë institucionet shqiptare siç është regjistrimi i popullsisë, mosha e pensionit, ulja e papunësisë, reformat në edukim, etj.