Dr. Mulita: Veprimtaria është pjesë e filozofisë se brandit UB, ku edukimi dhe kërkimi shkencor praktikohet në shërbim të shoqërisë se mirëqenies.
Më datë 08 shkurt 2012, u zhvillua në Universitetin "Barleti" një debat shkencor me temë: "Cili është sistemi Elektoral që i duhet Shqipërisë?"
Ky debat i cili vendosi botën akademike përballë politikës u organizua falë një nisme të përbashkët të Departamentit të Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit dhe Institutit për Bashkëpunim, Integrim dhe Zhvillim. Ai u mbajt në prani të stafit akademik dhe studentëve dhe u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Universitetit "Barleti", Prof. Dr. Marenglen Spiro.
Nën moderimin e Dr. Zamira Çavo, Shefe e Departamentit të Qeverisjes, Politikave dhe Komunikimit, referimet e pjesëmarrësve ngjallën interes tek dëgjuesit dhe përçuan mesazhe te rëndësishme.
Dr. Reis Mulita, Përgjegjës i Seksionit të Qeverisjes dhe Politikave Publike, me kumtesën e tij "Përtej konsensusit për një zgjidhje të qëndrueshme nëpërmjet sistemit elektoral" i përcolli auditorit një analizë të detajuar mbi sistemet elektorale, si instrumente zgjedhore duke vënë theksin, jo vetëm në deficitin dhe problematikën e konsensusit, por edhe në domosdoshmërinë e tij si element që mundëson politika dhe qeverisje demokratike. Konkluzionet e Dr. Mulita konsistonin në vendosjen e një sistemi elektoral në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe praktikave te vendeve te BE, te përmbledhura si më poshtë: Sistem elektoral Proporcional Kombëtar, me lista të mbyllura të përcaktuara në rrugë demokratike nga anëtarësia e partisë sipas modelit një anëtar një vote praktike që mundëson shndërrimin e politikes ne profesion, dhe në një periudhe relativisht te konsiderueshme përpara se të fillojë proçesi zgjedhor, vendosjen e një pragu elektoral fillimisht jo me shume se 3% ndërsa ne perspektive ndryshimin e tij drejt shifrave qe nxisin përmbushjen e misionit te partive politike; përfshirjen e emigranteve ne procesin e votimit politik edhe pa ardhur ne Atdhe.
Av. Arben Hakani me fjalën e tij "Sa ndihem i përfaqësuar në sistemin e sotëm zgjedhor?" diskutoi mbi rëndësinë sesa përfaqësuesit tanë kanë integritetin, përgjegjshmërinë e duhur dhe a janë rezultat i zgjedhjes sonë, apo janë rezultat i atyre që i emërojnë dhe caktojnë. Në përfundim të diskutimit të tij, Z. Hakani, duke u nisur nga dilema nëse ndikon sistemi për të qenë i përfaqësuar dhe nëse në të njëjtën kohë përfaqësimi na realizon të drejtat konkludoi se në këtë sistem aktual ai nuk ndihej i përfaqësuar.
Av. Ilirjan Celibashi për t`i dhënë zgjidhje pikëpyetjes ndryshim apo reformim sistemi, pohoi se duhej një studim i mirëfilltë për të përcaktuar fillimisht se çfarë duam të arrijmë dhe jo, më pas përzgjedhim sistem e duhur duke vijuar me aplikimin e tij brenda një shoqërie të caktuar. Dy elementët që përbëjnë sistemin zgjedhor, qeverisja e qëndrueshme dhe përfaqësimi, vijoi Z. Celibashi nuk janë realizuar. Në mënyrë që të japim një përfundim nëse duhet ndryshuar apo jo sistemi zgjedhor, kërkohet një pjesëmarrje e të gjithë aktorëve. Vetëm nëpërmjet konsensusit të palëve mund të evidentohen avantazhet e secilit sistem si dhe të përcaktohet se cili sistem i nevojitet vendit tonë, përfundoi fjalën e tij Av. Celibashi.
Z. Afrim Krasniqi, me referimin e tij "Sistemi zgjedhor në Shqipëri: 20 vjet në kërkim të një modeli". Evidentoi pikësëpari dy çështje problematike të zgjedhjeve në Shqipëri: kontestimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve si dhe shumëllojshmërinë e sistemeve të ndryshme elektorale, duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e aplikimit të një sistemi të pandryshuar në më shumë se 4 zgjedhje sipas dhe Rekomandimeve të Venecias, me synimin për të krijuar bindjen e sistemit me të mirë dhe më të nevojshëm për një shoqëri të caktuar. Z. Krasniqi vijoi diskutimin e tij me një analizë të detajuar të zgjedhjeve në vendin tonë duke i bërë të ditur auditorit problemet madhore që lidhen me votimin si sistemi kundër vullnetit politik, zgjedhjet kundër zgjidhjes apo krizës politike, listat e hapura kundër listave të mbyllura si dhe raportin e varësisë midis shtetit, pushtetit dhe fushatës. Në përfundim Z. Krasniqi sugjeroi se sistemi më i mirë për Shqipërinë ishte ai vitit 2001, pra 100 mandate me 40, por pa zonën e Dushkut.
Z. Blendi Ceka në fjalën e tij "Ndryshimi përkundrejt thjeshtëzimit të sistemit zgjedhor" evidentoi njëherazi përshtatjen inekzistente të sistemit zgjedhor si problem makro dhe barazinë e votës në njësinë vendore si problem mikro. Z. Ceka vijoi duke sugjeruar se në çdo prag zgjedhjesh në Shqipëri kemi një ndryshim të sistemi elektoral duke provokuar destabilitet të sistemit politik. Në konkluzion të një përgjigjeje për dilemën e madhe Z. Ceka propozon 3 skenarë të mundshëm: nuk ndryshojmë sistemin dhe vazhdojmë siç jemi; nuk preket kushtetuta, por korrigjohet sistemi, duke mbajtur një formulë nga dy për të ruajtur barazinë e votës; korrigjim kombëtar i sistemit zgjedhor, që kërkon korrigjim kushtetute dhe kodi zgjedhor, por duhet patur parasysh se nëse duam korrigjim kombëtar duhet të kemi një prag kombëtar, i cili duhet të ketë një minimum logjik përfundoi fjalën e tij Z. Ceka.
Debati u bë më interesant prej pyetjeve dhe tematikave që u diskutuan midis politikanëve, specialistëve dhe studentëve. Me interes për auditorin ishte pyetja e studentit të vitit të parë të Shkencave Politike, Orges Nilo mbi vullnetin politik, e cila mori përgjigje prej ekspertëve të partive politike të pranishëm. Ndonëse për Znj. Ermelinda Meksi, partitokracia mund të konsiderohet si elementi më negativ pasi krijon shkëputjen e politikanit nga elektorati, duke mos prodhuar një shoqëri me një zë të pavarur, për Z. Damian Gjiknuri për të ndryshuar sistemet zgjedhore duhej kohë. Sipas Z. Gjiknuri sistemet zgjedhore janë një shumatore e vullnetit politik dhe interesit politik dhe se janë pikërisht këto të fundit që kanë prodhuar ndër vite sistemet zgjedhore. Z. Gjiknuri përfundoi fjalën e tij se elementi që duhej marrë në konsideratë për tì dhënë përgjigje dilemës ndryshimi kundër modifikimit të sistemit është mos cënimi i integritetit të zgjedhësit, pasi vetëm në këtë mënyrë nuk deformohet përfaqësimi. Politikani Engjell Bejtaj , në fjalën e tij nënvizoi idenë se sistemet si pjese e proceseve zgjedhore duhet te mundësojnë klimën e favorshme dhe administrimin e drejte te vullnetit te zgjedhësve, duke kërkuar qe partitë politike se pari te demonstrojnë realisht këto standarte.
Debati ishte i larmishëm dhe parashtroi në mënyrë shumë të detajuar opsione dhe alternativa në qasjen e një tematike kaq delikate për Shqipërinë, nen filozofinë e UB, për te ofruar shërbime ne interes te shoqërisë, nëpërmjet edukimit dhe kërkimit shkencor.
