U zhvillua një aktivitet interaktiv i realizuar nga studentët e Stomatologjisë dhe Farmacisë, nën mbikëqyrjen e stafit akademik: Prof. Jorida Shahinas,, Prof. Mirvete Rama, Prof. Erdita Cenameri dhe Prof. Lorena Mato.
Gjatë aktivitetit u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me kujdesin oral, teknologjitë bashkëkohore në stomatologji dhe përdorimin e preparateve natyrale në farmaci. Studentët prezantuan materiale informuese mbi parandalimin e sëmundjeve orale, rëndësinë e higjienës orale dhe rolin e produkteve me bazë bimore në kujdesin e përditshëm shëndetësor.
Në pjesën e Stomatologjisë, në bashkëpunim me Reivi Shpk, studentët u njohën nga afër me përdorimin e skanerit oral dhe programit Exocad në stomatologjinë dixhitale. U demonstrua mënyra e marrjes së masave dixhitale dhe projektimi kompjuterik i restaurimeve protetike, duke i njohur studentët me praktikat moderne dhe teknologjitë më të avancuara në këtë fushë.
Ndërsa studentët e Farmacisë zhvilluan një aktivitet laboratorik të fokusuar në formulimin dhe përgatitjen e preparateve për kujdesin oral me bazë bimore dhe përbërës farmaceutikë të sigurt. Aktiviteti solli në vëmendje rëndësinë e fitoterapisë, vetitë antiseptike dhe antiinflamatore të produkteve natyrale, si dhe rolin e tyre në zhvillimin e formulimeve bashkëkohore farmaceutike dhe kozmetike.
Ky aktivitet shërbeu si një eksperiencë praktike dhe profesionale për studentët, duke integruar njohuritë teorike me praktikën konkrete dhe duke promovuar përfshirjen aktive në procesin e zhvillimit akademik dhe shkencor.
