Universiteti “Barleti” funksionon si një sistem akademik i organizuar tërësisht në baza të njohura akademike, sipas modelit të shprehur në parimet e Deklaratës së Bolonjës së Ministrave të Arsimit të Evropës. Ai përbëhet nga fakultete e departamente dhe udhëhiqet, organizohet e drejtohet nga organe e autoritete të modelit klasik akademik, sipas ligjit të arsimit të lartë dhe kombinon përsoshmërisht autoritetin me kolegjialitetin në marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre, duke respektuar plotësisht dinjitetin dhe personalitetin e stafit akademik.
UniBa realizon një veprimtari akademike nëpërmjet leksioneve, seminareve, praktikave mësimore, mbështetur në kërkimin shkencor bashkëkohor në institucion, në vend e jashtë tij, duke rekomanduar një literaturë të pasur bashkëkohore për studim. Metoda e mësimdhënies është interaktive duke kombinuar në mënyrë të përshtatshme shpjegimin e shkurtër të parimeve teorike bazë me aktivizimin e vetë studentëve, nën drejtimin e pedagogut, të trajtimit të zgjeruar të përpunimit të dijeve të reja.
Procesi mësimor konkretizohet me raste studimore të trajtuara nga studentët dhe pasohet nga detyra kursi që shërbejnë si bërthama të një edukate kërkimore për të përftuar dijet e reja nëpërmjet punës e kërkimit. Përpunimi i të dhënave me metodat më të njohura bashkëkohore, ndihmojnë studentët në të kuptuarit e dukurive duke krijuar bindjen shkencore nëpërmjet marrjes së rezultateve të provave eksperimentale dhe sondazheve testuese opiniative. Mjaft prej ilustrimeve dhe problematikave që përpunohen nga dijet shkencore, vijnë nga puna kërkimore e personelit akademik, përpjekjeve për hartimin e projekteve zhvillimore, rezultatet e zbatimit të projekteve në komunitetin lokal, rajonal e më gjerë.