Universiteti Barleti, në bashkëpunim me Grant Thornton Albania dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), po zbaton projektin “Model i standardizuar për ndërmarrjet shqiptare: Krijimi i Zyrës EU BIT”, një nismë që synon të mbështesë ndërmarrjet shqiptare në përafrimin me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Projekti ndërthur ekspertizën akademike me përvojën profesionale të sektorit të biznesit, duke synuar zhvillimin e një modeli të standardizuar që u përgjigjet nevojave të ndërmarrjeve shqiptare dhe kontribuon në rritjen e konkurrueshmërisë së tyre.
Në qendër të kësaj nisme qëndron krijimi i Zyrës EU BIT, e cila synon të lehtësojë transferimin e njohurive, të forcojë kapacitetet organizative dhe të mbështesë bizneset në përshtatjen me standardet evropiane.
Përmes këtij bashkëpunimi universitet–industri, projekti synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjeve shqiptare dhe në përgatitjen e tyre për mundësitë dhe sfidat e integrimit në tregun evropian.
