Në kuadër të projektit të realizuar në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Departamenti i Drejtësisë pranë Fakultetit të Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë, Universiteti “Barleti”, zhvilloi një trajnim të dedikuar për përgatitjen e studentëve në fushën e gjykimit simulues (Moot Court), me fokus luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Trajnimi u realizua nga Juljan Rexha, në bashkëpunim me profesorët dhe ekspertët e fushës, si dhe stafin e Departamentit të Drejtësisë, me pjesëmarrjen aktive të studentëve të programit të integruar të studimit Master i Shkencave në Drejtësi.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi aspektet ligjore dhe procedurale të trajtimit të çështjeve të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të zhvillojnë aftësitë praktike në analizën juridike, argumentimin ligjor, paraqitjen e pretendimeve dhe simulimin e procedurave gjyqësore.
Ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për ndërthurjen e njohurive teorike me praktikën profesionale, duke kontribuar në përgatitjen e juristëve të rinj me aftësi të konsoliduara profesionale dhe ndjeshmëri ndaj sfidave që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Departamenti i Drejtësisë, Universiteti “Barleti”, shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin me OSBE-në dhe vlerëson angazhimin e ekspertëve, pedagogëve dhe studentëve në këtë nismë me rëndësi akademike dhe shoqërore.
