Universiteti Barleti, në partneritet me kompaninë Fix Pro sh.p.k., po zbaton projektin “Vlerësimi dhe zhvillimi i zinxhirit të vlerës për një produkt autokton shqiptar të sallamerisë, në kuadër të transferimit të inovacionit drejt tregut”, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Projekti synon zhvillimin dhe standardizimin e një produkti tradicional shqiptar të sallamerisë, duke ruajtur karakteristikat e tij autentike dhe duke përmirësuar cilësinë, sigurinë ushqimore dhe konkurrueshmërinë në treg.
Një nga elementet inovative të projektit është ndërthurja e kërkimit shkencor me testimin e drejtpërdrejtë në kushte reale industriale. Për këtë qëllim, linja ekzistuese e prodhimit të kompanisë Fix Pro sh.p.k. do të shërbejë si një mjedis pilotimi (living lab), duke mundësuar testimin dhe zbatimin praktik të rezultateve të kërkimit.
Përmes këtij bashkëpunimi universitet–industri, projekti synon të krijojë një model të qëndrueshëm për transferimin e inovacionit drejt tregut, duke rritur vlerën e shtuar të produkteve tradicionale shqiptare dhe duke kontribuar në zhvillimin e industrisë agro-përpunuese në vend.
Kjo nismë pasqyron angazhimin e Universitetit Barleti për të forcuar lidhjen mes kërkimit shkencor, inovacionit dhe sektorit privat, duke nxitur bashkëpunime që sjellin rezultate konkrete për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
