universiteti “Barleti” mirëpriti sot, në kuadrin e lektoriumeve të hapura, Prof. Dr. Muhamet Mustafën, i cili mbajti një referat mbi skenarët e rritjes ekonomike të Kosovës, nën këndvështrimin e konferencës së sapozhvilluar “Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë”.
Pasi paraqiti fillimisht profilin socialo-ekonomik të asaj që tashmë njihet si Republika e Kosovës, z.Mustafa u ndal në rritjen ekonomike - kusht që një shoqëri të quhet e vetëmjaftueshme - dhe faktorët që e përcaktojnë atë. Si pozitiv u përmend fakti që Kosova ka një popullatë të re (përqindja e vogël e asaj mbi 60 vjeç përkon me nevojën për pak fonde pensionale, gjë që mund të krijojë kushtet për arsim e investim në burimet njerëzore). Por në të njëjtën kohë, rritja e popullatës do të kërkojë investime në infrastrukturë e vende pune.
“Rritja ekonomike duhet të jetë afatgjate, dhe gjeneratori i saj nuk është pasuria natyrore. është aftësia e produktivitetit faktori i saj përcaktues” tha z. Mustafa, duke sjellë shembullin e dy vendeve si Brazili e Japonia që e vërtetojnë më së miri këtë. është pikërisht produktiviteti çelësi i rritjes ekonomike. Jo aq e rëndësishme sa investohet, po sa efikas është investimi. Ndaj është e nevojshme që investimet të shkojnë dhe në njerëz, jo vetë kapital.
Në këtë mënyrë lidhet menaxhimi i resurseve me rritjen ekonomike.
Duke referuar një studim të Bankës Botërore kryer mbi 80 shtete, Z.Mustafa solli përfundimin se edukimi (që krijon know how); intensiteti financiar (përqindja e kredive private në GDP); hapja ndaj tregut botëror (që sjell vëllimin e tregtisë dhe krijimin e konkurrencës, por edhe nevojën për të mbrojtur produktin vendas); kostoja e qeverisë; shërbimet publike e infrastruktura, si dhe qeverisja, mund të jenë disa nga mësimet e marra.
Me eksperiencë të gjatë në mësimdhënie, z.Mustafa nuk e ka për herë të parë daljen para studentëve. Por as para reflektorëve të botës politike: Në mes të viteve ’80 ai ka qenë Ministër i Zhvillimit për Kosovën dhe në ish Federatën Jugosllave. Nën presionin e Milloshevicit, në periudhën e grevave të minatorëve të Trepçës, dha dorëheqjen nga qeveria.
“Trepça merret si shembull i burimeve tokësore të Kosovës edhe pse, që pas grevave të urisë apo marshimeve deri në Prishtinë të minatorëve të saj, roli që mbart është më shumë emotiv. Gjatë viteve ’90 prodhueshmëria e saj është reduktuar, infrastruktura është vjetëruar. Vetëm me miniera nuk bëhesh i pasur, duhen investime në kapital dhe njerëz” theksoi z. Mustafa, duke iu përgjigjur studentëve.
I pyetur nëse prishja ekonomike me Serbinë do të ndikojë në skenarët e mundshëm të zhvillimit të Kosovës, ai u përgjigj se “Çka prodhon Serbia që s’e prodhon Turqia, Bullgaria, Greqia? Ky ishte vetëm një presion ndaj shpalljes së pavarësisë dhe vendeve që do e njihnin atë”.
Takimi i zhvilluar në UB vijon konferencën e mbajtur para pak ditësh në Durrës “Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë”, realizuar nga universiteti “Barleti” me pjesëmarrjen e figurave të spikatura akademike, politike dhe ekspertë të ekonomisë, ku nuk mund të mungonte dhe prof. dr. Muhamet Mustafa.
Më tepër rreth të ftuarit
Në mes të viteve ’80 z. Muhamet Mustafa ka mbuluar rolin e Ministrit për Zhvillim, përgjegjës për forcimin e ekonomisë kombëtare në ish Federatën Jugosllave përmes investimeve të huaja direkte dhe ndërmarrjeve aksionare. Nën presionin e Milloshevicit, z.Mustafa dha dorëheqjen nga qeveria.
Profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 1987, ka mbuluar lëndë që lidhen me menaxhimin e zhvillimit.
Ka publikuar 7 monografi dhe tekste universitare, si dhe shumë artikuj në revista vendase dhe të huaja.
Ai është themelues i Institutit RIINVEST, një think tank privat, i njohur në Kosovë dhe rajon. Që nga viti akademik 2007-2008 ka lançuar edhe Universitetin Riinvest.
Prof. Dr. Muhamet Mustafa është nga ekspertët më të mirë ekonomikë të Kosovës.