Studentët e Programit të Integruar Master i Shkencave në “Arkitekturë” në Universitetin Barleti përmbyllën me sukses një rrugëtim të rëndësishëm akademik pesëvjeçar, duke fituar tashmë titullin Arkitekt.
Gjatë viteve të studimit, studentët kanë ndërtuar njohuri të qëndrueshme profesionale përmes mësimit në auditor, zhvillimit të projekteve, eksperiencave praktike dhe takimeve me arkitektë e specialistë të fushës, brenda dhe jashtë vendit. Këto eksperienca përbëjnë një bazë të rëndësishme për sfidat dhe mundësitë që i presin në rrugëtimin e tyre profesional.
Tematikat e trajtuara në projektet përfundimtare sollën një perceptim bashkëkohor të hapësirës, të ndërthurur me vëmendjen ndaj trashëgimisë arkitektonike të vendit dhe një qasje sistemike ndaj projektimit. Realizimi profesional i paneleve, argumentimi i koncepteve dhe prezantimi i projekteve përbëjnë tashmë një pjesë të rëndësishme të portofoliove të tyre profesionale.
Përfundimi i këtij cikli studimi shënon jo vetëm mbylljen e një etape akademike, por edhe fillimin e një kapitulli të ri, ku njohuritë, aftësitë dhe eksperiencat e fituara në Universitetin Barleti do t’i shoqërojnë në zhvillimin e tyre të mëtejshëm profesional.
U urojmë shumë suksese arkitektëve tanë të rinj!
