Ditën e sotme u realizua aktiviteti me tematikë: “Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i saj në ekonomi”, nën kujdesin e Profesoreshë Semiha Loca, me pjesëmarrjen e studentëve të Biznesit dhe Marketingut të Universiteti Barleti.
I ftuar në këtë leksion të hapur ishte Ilir Pilku, i cili ndau me studentët perspektiva konkrete mbi ndikimin që Inteligjenca Artificiale po sjell në ekonomi, biznes dhe tregun e punës.
Gjatë leksionit u prezantua platforma e UNITA Albania dhe u diskutua mbi aplikimin e IA në sektorë të ndryshëm si Financë, Teknologji, Shëndetësi dhe Bujqësi, si edhe mbi sfidat, rreziqet dhe perspektivat e së ardhmes.
Studentët patën mundësinë të kuptojnë më nga afër se si IA po transformon mënyrën e funksionimit të bizneseve, duke mundësuar shërbim ndaj klientit 24/7, marketing më të personalizuar dhe vendimmarrje strategjike të bazuar në të dhëna, kompetenca gjithnjë e më të rëndësishme për brezin e ri të profesionistëve.
Ky leksion përfaqëson angazhimin e Universiteti Barleti për të sjellë biznesin dhe inovacionin teknologjik pranë studentëve, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës së nesërme.
