Departamenti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin Barleti mirëpriti Erinda Gorenca, një prej profesionisteve shqiptare të suksesshme në menaxhimin e sportit elitar, për një takim të dedikuar ndarjes së eksperiencës së saj në një nga klubet më të njohura të futbollit italian, SSC Napoli.
Takimi solli një diskutim të hapur me studentët dhe stafin akademik të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit, ku znj. Gorenca ndau përvojën e saj profesionale, sfidat e menaxhimit në sportin ndërkombëtar dhe rolin që lidershipi luan në ndërtimin e strukturave moderne sportive.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të grave në sportin elitar dhe transformimit që po ndodh në menaxhimin sportiv bashkëkohor. Kontributi i saj është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht me çmimin “Best Female Leadership in Football 2025”, akorduar nga Social Summit of Football, duke e pozicionuar atë si një nga figurat më të spikatura të lidershipit femëror në futboll.
Për studentët, ky takim përfaqësoi më shumë sesa një prezantim profesional. Ishte një mundësi për të kuptuar nga afër dinamikat e sportit elitar, mënyrën se si ndërtohen karrierat ndërkombëtare dhe rëndësinë e inovacionit strategjik në zhvillimin e organizatave sportive moderne.
Ky bashkëpunim u realizua falë angazhimit të Xhevdet Zeka, në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit të Universitetit Barleti dhe zgjerimit të bashkëpunimeve me profesionistë dhe institucione sportive ndërkombëtare.
Në përshëndetjen e tij, Artan Shytaj e vlerësoi praninë e znj. Gorenca si një vlerë të shtuar për universitetin dhe një burim frymëzimi për studentët, veçanërisht për të rejat që synojnë të ndërtojnë një karrierë në industrinë e sportit.
