Në kuadër të projektit të PKKZH, “Dixhitalizimi i Banesave Tradicionale Shqiptare: Kullat si Simbole të Trashëgimisë”, nën drejtimin e Prof. Asoc. PhD. Etleva Dobjani, grupi i punës, së bashku me anëtarë të Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit dhe studentë të arkitekturës, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh në zonat e veriut të Shqipërisë.
Projekti është fokusuar në mbledhjen dhe dixhitalizimin e materialeve arkivore, rilevimin e objekteve në terren, analizat kritike mbi objektet dhe gjendjen e tyre aktuale, si dhe në ndërtimin e një baze të plotë bibliografike mbi arkitekturën tradicionale shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e punës janë kampet e rilevimit të objekteve tradicionale, ku janë angazhuar studentë dhe pedagogë.
Gjithashtu, janë organizuar leksione të hapura dhe trajnime mbi teknikat bashkëkohore të rilevimit, restaurimit dhe dixhitalizimit, me fokus te banesa tradicionale “kullë” dhe rëndësia e ruajtjes së identitetit arkitektonik në zonat veriore, duke nxitur ndërgjegjësimin për vlerat e trashëgimisë kulturore. Aktivitetet janë mbështetur edhe nga studentë dhe pedagogë të huaj, si në auditor ashtu edhe në punën në terren, duke i dhënë një vlerë të shtuar punës shkencore.
Mirënjohje e veçantë për kontributin e pedagogëve: Prof. Asoc. PhD. Etleva Dobjani, Prof. Asoc. PhD. Vera Bushati, Prof. Asoc. PhD. Laura Shumka, PhD. Joan Ikonomi, MSc. Andi Papastefani, MSc. Klesta Qirici, MSc. Koi Barbullushi, Prof. Asoc. Vincenzo Paolo Bagnato, Prof. Asoc. Antonio Labalestra, si dhe për studentët e arkitekturës në Universitetin “Barleti” dhe të Universitetit Politeknik të Barit, Itali. Projekti vazhdon me sukses në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave.
