Studentët e Drejtësisë në Universitetin Barleti morën pjesë në kuadër të “Javës së Drejtësisë” 2026 në aktivitetin “Dita e hapur në Gjykatë”, të zhvilluar pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët u pritën nga Zëvendëskryetari Ilir Panda dhe Ndihmësmagjistrati Renis Sheshi, të cilët ndanë me ta një panoramë të detajuar mbi funksionimin e institucionit, rolin e Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor, si dhe rëndësinë e praktikës unifikuese në drejtësi.
Në fjalën e tij, z. Panda prezantoi historikun e gjykatës, simbolikën e togës dhe të logos institucionale, duke theksuar veçanërisht rolin e etikës profesionale, paanësisë dhe përgjegjësisë në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit. Studentët u inkurajuan të angazhoheshin aktivisht, të shtronin pyetje dhe të kontribuonin në diskutime mbi çështje praktike të së drejtës.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vendimeve të fundit të Kolegjeve të Bashkuara, si një moment i rëndësishëm në forcimin dhe unifikimin e praktikës gjyqësore në vend.
Ky aktivitet u vlerësua si një urë e rëndësishme lidhëse mes formimit akademik dhe praktikës gjyqësore, duke i afruar studentët më pranë funksionimit real të sistemit të drejtësisë dhe duke forcuar kulturën juridike profesionale.
Këto praktika dhe bashkëpunime institucionale dëshmojnë edhe një herë angazhimin e Universitetit “Barleti” për të forcuar lidhjen mes teorisë akademike dhe praktikës gjyqësore, duke kontribuar në formimin e juristëve të përgatitur profesionalisht, me standarde të larta etike dhe me vizion të qartë për sistemin e drejtësisë.
