Studentët e vitit të dytë të programit Dizajn Interieri dhe Produkti në Universitetin Barleti zhvilluan një vizitë studimore në studiot e Aparat Collective dhe Snd, në kuadër të lëndës “Studio Dizajni Artizanal dhe Industrial”.
Vizita krijoi një mundësi të drejtpërdrejtë për të parë nga afër procesin e konceptimit dhe prodhimit në dizajnin bashkëkohor. Studentët u njohën me familjen e ndriçuesve Snd, si dhe me logjikën që qëndron pas zhvillimit të produkteve nga ideja fillestare deri te realizimi final. Diskutimet u fokusuan në detajet teknike, materialet dhe sfidat që shoqërojnë procesin krijues në praktikë.
Të shoqëruar nga pedagogët Gerdi Papa, Iris Nela, Driant Zeneli dhe Koi Barbullushi, studentët patën mundësinë të lidhin njohuritë teorike me realitetin e industrisë, duke kuptuar më qartë kërkesat dhe standardet e tregut në fushën e dizajnit.
Kjo përvojë përfaqëson një hap konkret drejt formimit profesional, duke e vendosur studentin në kontakt të drejtpërdrejtë me proceset reale të krijimit dhe prodhimit.
