Kujdesi paliativ, synon përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve përmes lehtësimit të dhimbjes dhe mbështetjes së gjithanshme dhe kërkon më shumë se trajtim klinik, kërkon një qasje që vendos në qendër dinjitetin, mirëqenien dhe mbështetjen e pacientit në çdo dimension të tij. Kjo perspektivë u trajtua në një leksion të hapur të zhvilluar në Universitetin Barleti, me fokus qasjen holistike në menaxhimin e sëmundjeve të avancuara.
E ftuar në këtë aktivitet ishte Dr. (C) Irena Laska, e vlerësuar ndërkombëtarisht në kuadër të programeve ELNEC dhe Country Leader për kujdesin paliativ. Përmes përvojës së saj akademike dhe profesionale, ajo solli një qasje të strukturuar mbi rolin dhe sfidat e kujdesit paliativ në praktikën bashkëkohore.
Diskutimi vuri në dukje se kujdesi paliativ nuk kufizohet në ndërhyrje mjekësore, por përfshin një angazhim të plotë ndaj pacientit duke adresuar nevojat fizike, emocionale dhe shpirtërore. Theksi u vendos te rëndësia e empatisë, komunikimit dhe mbështetjes së vazhdueshme si elementë thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Aktiviteti shërbeu si një hapësirë e rëndësishme shkëmbimi për studentët dhe profesionistët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, duke nxitur një kuptim më të thellë të këtij dimensioni të kujdesit shëndetësor dhe duke forcuar një qasje më humane dhe të integruar në praktikë.
