Në kampusin e Universitetit Barleti u zhvillua një vizitë studimore me pjesëmarrjen e një grupi studentësh dhe pedagogësh nga Fakulteti i Arkitekturës i Kaiserslauternit, Gjermani.
Grupi, i shoqëruar nga pedagogët Marcus Kopper dhe Sabrina Wirtz, ndodhet në Shqipëri në kuadër të një lënde semestrale të fokusuar në ndërhyrjet e adaptimit arkitektonik në objektet spitalore të ndërtuara para viteve ’90.
Gjatë qëndrimit në universitet, u zhvillua një takim me dekanin e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative (FSHAIK), Prof. Asoc. Dr. Saimir Kristo, si dhe me pedagogët Prof. Asoc. Dr. Etleva Dobjani dhe Dr. Saimir Shtylla. Takimi u ofroi pjesëmarrësve mundësinë për t’u njohur më nga afër me kontekstin urban dhe arkitektonik në Shqipëri, si dhe për të shkëmbyer perspektiva akademike dhe profesionale.
Në përfundim të vizitës, përfaqësuesit nga Gjermania shprehën interesin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy fakulteteve në fusha të ndryshme, duke vlerësuar njëkohësisht mikpritjen dhe angazhimin e treguar nga Universiteti Barleti.
