Universiteti Barleti ka nisur një bashkëpunim të ri institucional me Bashkinë Pogradec, duke vendosur themelet për një angazhim afatgjatë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Bashkia e Pogradecit do të shndërrohet në një laborator akademik dhe profesional, ku ekspertiza e stafit akademik dhe energjia e studentëve do të kontribuojnë drejtpërdrejt në adresimin e sfidave urbane, mjedisore dhe sociale.
Në takimin zyrtar morën pjesë Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative, Prof. Asoc. Dr. Saimir Kristo, së bashku me përfaqësues nga Departamenti i Industrive Kreative dhe studentë të programit MSc Arkitekturë. Delegacioni u prit nga Nënkryetari i Bashkisë Pogradec, z. Paskalino Ziko, si dhe Nënkryetarja znj. Entela Gusho.
Takimi u fokusua në identifikimin e çështjeve prioritare për qytetin e Pogradecit dhe në përcaktimin e drejtimeve strategjike të bashkëpunimit. Qëllimi i përbashkët është zhvillimi i projekteve konkrete që ndërthurin edukimin, kërkimin shkencor dhe kontributin në zhvillimin lokal.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të universitetit si aktor aktiv në komunitet dhe në adresimin e sfidave reale të shoqërisë.
