Studentët e vitit të tretë të programit Infermieri në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit Barleti zhvilluan orët praktike për lëndën “Infermieristikë në Anestezi-Reanimacion” pranë Qendrës Komunitare të Bashkisë Tiranë, nën udhëheqjen e pedagoges Kujtime Vakeflliu.
Gjatë kësaj praktike, studentët patën mundësinë të angazhohen drejtpërdrejt me individë të moshës së tretë që frekuentojnë qendrën, duke ofruar shërbime bazë shëndetësore dhe këshillim. Në kuadër të aktivitetit, u realizua matja e parametrave jetësorë si tensioni arterial, frekuenca kardiake dhe tregues të tjerë të rëndësishëm për monitorimin e gjendjes shëndetësore.
Kjo përvojë praktike synon forcimin e aftësive profesionale të studentëve përmes ndërthurjes së njohurive teorike me praktikën klinike, duke i përgatitur ata për sfidat e profesionit dhe njëkohësisht duke kontribuar në promovimin e kujdesit shëndetësor për komunitetin.
Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin Barleti mbetet i përkushtuar në përgatitjen e profesionistëve të rinj të shëndetësisë, të aftë për t’i shërbyer komunitetit me profesionalizëm dhe përkushtim.
